Sarandë, zjarri përfshin tregun industrial në mes të qytetit
SARANDE - Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mëngjesin e së enjtes tregun industrial të qytetit, në afërsi të agjencisë së udhëtarëve. Gjashtë njësi shitjeje janë shkrumbuar, ndërsa mendohet që dëmi i shkaktuar të përllogaritet në rreth 10 milionë lekë të reja. Ende nuk dihet shkaku i rënies së këtij zjarri, ndonëse dyshohet për një shkëndijë elektrike. Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë së Sarandës mësohet se zjarri ka nisur rreth orës 06:30 të mëngjesit. Në pjesën anësore të tregut industrial të qytetit, një shkëndijë është kthyer papritmas në një zjarr të fuqishëm. Dy tregtarë të ndodhur në vend, për të bërë veprimet e zakonshme të çdo dite në dyqanet e tyre, me të parë flakët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe shërbimin zjarrfikës, ndërkohë që zjarri përparonte me shpejtësi. Me të marrë njoftimin, ekipi zjarrfikës është ndodhur në vendngjarje, duke bërë lokalizimin e flakëve, në mënyrë që ato të mos përparonin për të shkaktuar një katastrofë të vërtetë, jo vetëm për kioskat e tjera rreth tyre, por edhe për zonën e banuar pranë tregut industrial. Edhe pse ndihma ishte në një kohë rekord, mësohet se 6 njësi të shitjes së mallrave industriale në këtë treg nuk ka qenë e mundur të shpëtohen nga flakët dhe për rrjedhojë ato u shkrumbuan plotësisht. Rroba, këpucë e sende të tjera, që tregtoheshin në to, janë djegur plotësisht. Burime nga Komisariati i Policisë së Sarandës thanë gjithashtu se qysh në momentet e para ka shkuar në vendngjarje grupi i gatshëm i policisë, ndërsa grupi hetimor nisi punën për të zbardhur plotësisht shkaqet e rënies së zjarrit. Në komisariat u shoqërua për t’u pyetur për ngjarjen roja i turnit të objektit. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se shkak për zjarrin e së enjtes në tregun industrial ka qenë një shkëndijë e ardhur nga rrjeti elektrik. Deri tani, sipas burimeve nga të dëmtuarit, mësohet që dëmi të llogaritet në rreth 10 milionë lekë të reja. Të pyetur për gazetën, tregtarët e dëmtuar shprehen se ata ulin siguresën pas mbarimit të punës, ndërsa mëngjesin e së enjtes siguresën e kanë gjetur të ngritur dhe kjo i ka bërë ata të mendojnë se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme. sh.d