PPE: Veprimet e Edi Ramës të pajustifikueshme, greva qesharake
Partitë Popullore Evropiane kritikojnë ashpër qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste. Presidenti i PPE-së në Këshillin e Evropës, Luca Volontè tha dje në Tiranë se kreu i socialistëve po bën të kundërtën e asaj që i ka kërkuar Këshilli i Evropës. “Veprimet e z. Rama në këto muajt e fundit janë krejtësisht të pajustifikueshme. Rama po gabon dhe në planin institucional, pasi po jep përgjigje kontradiktore me çka i ka kërkuar KiE. Asambleja parlamentare ka thënë që, debati bëhet në Parlamentet dhe bojkoti është i papranueshëm. Iniciativa e grevës së urisë është në kundërshtim me atë që ka deklaruar se do të bëjë”, u shpreh Volonte, në përfundim të takimit me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Sipas tij “kjo është grevë urie, e cila më thonë se as nuk ka lidhje me Ramën. Pra, ai i ka futur të tjerët në grevë urie dhe vetë, bashkë me disa krerë të partisë, nuk ka hyrë në grevë. Kjo është diçka qesharake. Kjo mënyrë sjellje është sterile, pa rezultat, që prodhon probleme të mëdha për qytetarët, ashtu siç mund të prodhojë dëme të mëdha ndërkombëtare. Nuk besoj se do i shërbejë as për publicitet Ramës, duke parë se janë përpara zgjedhjet e ardhshme lokale”. Volonte u takua dje edhe me Kryeministrin Berisha, i cili e informoi atë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, por edhe për arritjet dhe rezultatet që ka pasur Shqipëria, si në zhvillimet e brendshme, ashtu edhe në drejtim të integrimit evropian.