E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemite ISHP nis kontrollin e ujit ne mbare vendin

Shmangia e epidemive nga uji në sezonin e verës i ka detyruar specialistët e Institutit të Shëndetit Publik të fillojnë zbatimin e masave në të gjitha qytetet. Monitorimet e ujit do të fillojnë që nga burimet e deri në rrjetin e kanalizimeve.

“Pikat e riskut të një rëndësie të veçantë janë burimi, sistemi i shtrirjes së ujësjellësave, sasia dhe cilësia e klorit si dhje mbajtja e presionit pozitiv në rrjet, pra në rrjet duhet të ketë ujë 24 orë ujë. Instituti i Shëndetit Publik dhe Organizata Botërore e Shëndetsisë rekomandojnë që të krijohen grupet e shpërthimit hidrik”- shprehet Arben Luzati, shef i departamentit të Mjedisit dhe Shëndetit në ISHP.

Por krahas masave që do të marrin vetë specialistët e ISHP-së, edhe qytetarët duhet të kujdesen për pastërtinë e ujit që vjen në banesat e tyre.  Specialistët rekomandojnë që depozitat të pastrohen një herë në muaj.

“Ato duhet të pastrohen çdo muaj. Vetë qytetarët ose administratorët e pallateve duhet të bëjnë kujdes me depozitat. Ato nuk duhet të kenë kënde, dmth s’duhet të jenë katrore, por të jenë të rrumbullakta. Cepat favorizojnë mbetjen e mikrobeve dhe shumëzimin e tyre”- thotë Luzati.

Përsa i përket sasisë së klorit në ujë, ai është në parametrat e lejuar 0,5 mg  për mililitër, ndërkohë që ai mund të shtohet vetëm në raste epidemish.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›