E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemitë, kontrolle për ushqimet në tregjet e Shkodrës

SHKODER - Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Shkodër ka marrë masa të rrepta ndaj tregjeve bujqësore dhe blegtorale në këtë qytet. 

Rreth 13 tonë ushqime u bllokuan dje, ndërsa u penalizuan me masa administrative tre subjekte me një vlerë që kap shifrën e 300 mijë lekëve. Tashmë që temperaturat kanë arritur shifra të larta dhe mundësia e ushqimeve të prishura është evidente, kjo drejtori mori masa konkrete për të evituar ndonjë epidemi. Një grup pune i ngritur enkas për këtë problematikë, ku bënin pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit bashkë me Policinë Bashkiake dhe me specialistë të shëndetit publik, ndërmorën në orët e drekës një kontroll për kushtet higjieno-sanitare në tregjet e ndryshme të Shkodrës. Produktet bujqësore dhe blegtorale, ushqimet e konservuara etj., ishin objekt i këtij kontrolli. Specialistët pohuan se janë verifikuar kushtet e tregtimit të tyre, duke qenë se gjatë këtyre ditëve janë rritur ndjeshëm temperaturat dhe konsumatorët janë mjaft të rrezikuar nga produktet e prishura. Vetëm gjatë kontrollit të kryer dje u bllokuan rreth 13 tonë ushqime, kryesisht produkte blegtorale, pije, mish dhe konserva, të cilët ose tregtoheshin në kushte aspak të përshtatshme higjieno-sanitare në disa nga tregjet e qytetit të Shkodrës, ose u kishte kaluar afati i skadencës së tyre. Specialistët e higjienës nuk harrojnë të këshillojnë edhe konsumatorët, të cilët në këtë stinë të vitit duhet të jenë të kujdesshëm në produktet që ata blejnë. Ata duhet të shohin datën e skadencës së mallrave që blejnë, por njëherazi të vlerësojnë edhe kushtet në të cilat këto produkte mbahen nga tregtarët.            r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›