E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epilog

Edmond Arizaj 

Në fund bëhet përmbledhja. Në fund të një fushate me parafushatë, e stërgjatë, e bollshme dhe e lodhshme, e fryrë dhe e rrëgjuar, e hirtë dhe e ngjyrosur, e re dhe e parë shumë herë. Një fushatë ku natyrisht pjesët përbërëse të saj ishin tre, politika, media dhe qytetarët, me takimet dhe fërkimet e tyre, me premtimet dhe zhgënjimet respektive, me besimin dhe dyshimin e përhershëm. Çfarë fituan dhe çfarë humbën këta tre komponentë të rëndësishëm të Shqipërisë...
Politika
Dhe politikanët rifituan fuqinë se mbi ta dhe rreth tyre sillet e gjithë jetesa e shqiptarëve. Fituan betejën me kërkesën e llogarisë. Fituan bindshëm ndaj shoqërisë civile, sepse e bënë pjesë të tyre. Fituan mbi institucionet e kontrollit shtetëror.  Pas ligjit të ri zgjedhor, fituan lirshmërinë dhe papërgjegjshmërinë ndaj zgjedhësve dhe qarqeve ku fituan. Fituan lirinë për të mos dhënë asnjë shpjegim kundrejt askujt, por vetëm kundrejt kryetarit. Mbi të gjitha, politika u bë pushteti absolut, i cili sundon dhe kërcënon çdo pore të jetës shqiptare.
Politika dhe politikanët humbën shumë pak. Rishtarët në politikë humbën ende pa filluar identitetin. E vërtetë apo jo, shumica e tyre do të jetë nën hijen e liderit të partisë së tij për katër vjet me radhë. Shumë prej të stërviturve në politikë, këtë radhë humbën paksa nga personaliteti i tyre i vënë ndoshta me përpjekje të shumta për vite me radhë. Politika humbi tek sytë e njerëzve fuqinë se ajo dhe ata që rrit ajo mund jenë ndryshimi i pritshëm. Përfundimisht politika dhe politikanët dolën të fituar nga kjo fushatë.

Media
Dhe gazetarët nuk fituan asgjë, përveçse zërave që thonë se X televizion apo gazetë, apo Y drejtues u shpërblye me aq e kaq lekë. E gjithë kjo fushatë ishte një humbje totale për ne të gjithë, për median, por sidomos për gazetarinë shqiptare. Televizionet humbën besueshmërinë e shikuesit në tërësi, duke u kthyer në televizione militantësh si Shijak TV dikur. Televizionet humbën totalisht profesionalizmin duke pranuar materiale jo të gazetarëve të tyre në terren dhe informacionit që përcjellin ata, por të sloganeve, parullave, pamjeve të liderëve ashtu siç i montonin studiot e tyre private; materiale të cilat shkonin jo pak herë deri në tetë-nëntë minuta një lajm, i cili në fakt ishte reklamë partiake. Humbi fatkeqësisht misioni real i medias, përcjellja e lajmit me vërtetësi dhe paanësi duke i shërbyer informimit të saktë të publikut. Prej një muaji nuk u pa askund as vërtetësi dhe as paanësi, madje nuk u pa askund asnjë lajm real. E nëse justifikimi mund të ishte se politikanët nuk pranojnë gazetarët, nuk u dëgjua për asnjë bojkot qoftë edhe njëditor të fushatës nga media. Media humbi qëllimin dhe nuk ka pse të ankohet pse i ikën shikuesit apo lexuesit. Për këtë kasaphanë që iu bë gazetarisë shqiptare, askush nuk dha dorëheqjen, askush nuk bëri apologji, askush nuk kërkoi ndjesë, askush nuk shpjegoi. Këto ndonjëherë ua kërkojmë politikanëve, ndërsa katarsis për veten nuk bëjmë. Media e shkruar e pësoi shumë më keq. Me përjashtim të “Panorama” (nuk ka aspak këtu pragmatizëm) të gjitha gazetat e tjera u pozicionuan hapur, fare hapur në krah të njërës apo tjetrës palë, si me lajme ashtu edhe me komente. Por sigurisht që pak kohë pas zgjedhjeve, do të shohim edhe humbjen reale të medias së shkruar, krizën totale të saj, pikërisht për shkak të militantizmit të treguar. Politika thjesht fitoi mbi median. Media nuk u bë dot ura lidhëse mes politikës dhe qytetarëve, por thjesht trapi që transporton politikën tek qytetarët, ashtu siç i do të vërtetat politika. Media është humbësja e madhe e këtyre zgjedhjeve. Drejtuesit e saj janë masakruesit. Gazetarët janë ata që do ta pësojnë.
Qytetarët 
Dhe qytetaria shqiptare fituan mendimin se janë ata që mund të bëjnë diçka për këtë vend dhe jo politikanët. Qytetarët fituan ndjesinë se mashtrimi u vjen në mënyra të ndryshme. Qytetarët fituan me mendimin se sa më shumë ngjyra, bojëra, zhurmë e këngë, aq më pak shpresë ka. Por të tjerë qytetarë humbën. Shumë humbën të qenit njeri, sepse u përdorën si dele që mblidhen në tufa për të brohoritur liderin e radhës. Shumë humbën dinjitetin, duke shpresuar të mos humbasin bukën e fëmijëve, duke shkuar me zor në mitingje. Shumë të tjerë humbën lirinë e të menduarit, duke votuar qorrazi për siglën e partisë, por duke mohuar liderin e saj. Shumica dhe ne të gjithë bashkë me ta, humbëm të drejtën e zgjedhjes, sepse nuk na e dha njeri. Nuk mund të zgjedhim njeriun që duam, por partinë që na caktojnë.
Në epilog të epilogut, kjo fushatë më shumë solli humbje për Shqipërinë. Pak rëndësi ka se kush do të jetë fituesi. Demokracia ka marrë një krisje të thellë. E rëndësishme tanimë është që ajo të mos thyhet. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›