E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë fuqi për motorin e Citroen



Prodhuesi Citroen ka publikuar zyrtarisht detajet e motorit të ri të avancuar me naftë 3.0 HDi V6, i cili nga kjo verë do të fillojë të shitet me modelet C5 e C6. Në vend të motorit të njohur 2.7 litërsh HDi me fuqi prej 208 kuaj fuqi, të zhvilluar në bashkëpunim me grupimin PSA dhe Ford, në ofertën e re të prodhuesit francez gjendet i riu, me 300 çm volum të shtuar. Falë këtij volumi, fuqia tani është 240 KF dhe si i tillë është motori më i fuqishëm në historinë e Citroen. Shpenzimi i karburantit është zvogëluar për 13-17 për qind, si dhe emetimi i CO2, i cili është në mes 12-15 për qind më i vogël sesa tek 2.7 litërshi me naftë. Motori në fjalë i plotëson standardet EURO 5 të cilat fillojnë së aplikuari në fillim të vitit 2011. I çiftëzuar me marshin automatik prej gjashtë shpejtësish, motori i ri shpenzon pak më shumë sesa shtatë litra naftë në 100 kilometra të kaluara, ndërsa emetimi i CO2 është 195 gramë për kilometër.

Intel dhe Nokia, partnerë të celularit të së ardhmes

Prodhuesi më i madh i procesorëve Intel dhe prodhuesi më i madh i celularëve Nokia kanë nënshkruar partneritet afatgjatë në kuadër të të cilit do të zhvillojnë klasën e re të arkitekturës së chipset-ëve dhe pajisjeve të reja celulare. Partneriteti afatgjatë e dy gjigandëve, në treg do të dalë me një klasë krejtësisht të re të pajisjeve. Zëvendëspresidenti i Nokias, Kai Oistamo ka deklaruar se me rastin e arritjes së partneritetit nuk bëhet fjalë për telefona të mençur, por për krijimin e një klase të re të pajisjeve, të cilat do të jenë më të mira se telefonat e mençur ekzistues. Gjigandët teknologjikë kanë çfarë t’i ofrojnë njëri-tjetrit. Nokia nuk ka asnjë lloj përvoje me kompjuterat më të mëdhenj se telefonat celularë, derisa Intel qëndron prapa në mbështetje për teknologjinë e gjeneratës së trete – 3 G. Për të krijuar klasën e re të pajisjeve e cila nuk do të jetë netbook, por as telefon i mençur, por një paisje e ndërmjetme, këto kompani me të vërtetë i nevojiten njëra-tjetrës. Në njoftimin për shtyp kompanitë kanë qenë shumë të papërcaktuar përsa i përket pajisjeve të reja të cilat planifikojnë të zhvillojnë teknologjinë më të fundit.

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›