Votum
Edmond Tupja
Sot votohet në mbarë Shqipërinë, sot çdo zgjedhës është mbret, votën e tij e lakmon çdo parti, çdo kryetar partie. Rrezik që ndonjë zgjedhës të cilit i lind gruaja sot, t’ia verë emrin fëmijës, nëse është i seksit femër, Vota. Sa emër i bukur, emër që, në trajtën e fletëvotimit, i çmend, i eksiton, i tërbon, i azdis të gjitha partitë, të gjithë kryetarët e partive, njëshat e shefat e mëdhenj, të gjithë politikanët, të gjithë kandidatët e kandidatet për deputetë e deputete. Por a e dini prejardhjen e fjalës “votë”? Ajo vjen thjesht nga latinishtja votum, që do të thotë zotim, urim, dëshirë. Pra, vota juaj shpreh zotimin tuaj, urimin tuaj, dëshirën tuaj për të parë në pushtet aksh parti, për të parë kryeministër aksh kryetar partie, për të parë deputet apo deputete këtë apo atë kandidat apo kandidate të partisë së cilës ju nuk ngurroni t’i besoni, pra, t’i flijoni Votën tuaj të dashur, domethënë bijën tuaj.
Ah Vota, Vota, ç’u bën, ç’u punon kështu partive e kryetarëve të tyre! Parimisht, ti nuk je ose nuk duhet të jesh kurvë, Vota jonë e dashur, Vota e shtrenjtë e popullit shqiptar! Mirëpo ty të dashurojnë të gjitha partitë me shefat e tyre të pagabueshëm, të gjithë kandidatët e kandidatet për deputetë e deputete. Por, çdo katër vjet, ngaqë rastis që prindi yt të zhgënjehet nga partia me të cilën të fejoi e të martoi ditën e zgjedhjeve, mundet që ai të të fejojë e të të martojë me një parti tjetër, e cila premton edhe ajo mrekullira, e prindi yt thotë, duke të dhënë tek kjo e fundit: “Le ta provojmë kësaj here me këtë parti, ishalla nuk na zhgënjen e i mban premtimet!” Dhe, duke u nisur nga qëllimet më të ndershme në botë, ai, dashur pa dashur, të kurvëron. Si thashë? Po, po, të kurvëron. Të kurvëron nga halli, nga padjallëzia, nga babaxhanllëku e ku ta di unë nga ç’tjetër ndjenjë e kulluar gati idealiste. Dhe ti kalon nga kutia në kuti, nga xhepi në xhep, a thua se kalon nga shtrati në shtrat. Pastaj, prindi yt pret rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe, pas shpalljes së këtyre rezultateve, kur këta përkojnë me shpresat e tij, nis e përkëdhel ëndrra e iluzione fantastike duke pritur realizimin e të gjitha premtimeve të bëra. Harron mjerani se, siç e ka përkufizuar matematikani, filozofi dhe mendjendrituri frëng D’Alembert në shekullin XVIII, “politika është arti i të mashtruarit të njerëzve”; po ta mbajë parasysh këtë aksiomë më se aktuale, prindi yt, Votë e vyer, do të mendohej gjatë para se të të jipte te kjo apo ajo parti. Ç’do të thotë të mendohej? Thjesht ta shestojë mirë: ose të mos të japë hiç (çka do të ishte pikëlluese, sepse ti je bërë për t’u dhënë, por jo për t’u kurvëruar), ose të të japë te mashtruesi më pak mashtrues (me shpresë se ti do të kurvërohesh sa më pak të jetë e mundur).
Votë e ëmbël, thuaji prindit tënd, që, në fund të fundit, politika është një e keqe e domosdoshme, pa të cilën shoqëria njerëzore do të zhytej në kaos ose në tirani. Prandaj duhet pranuar që kurvërimi yt është i pashmangshëm, por të paktën të jetë sa më i kufizuar, sa më pak i pandershëm (ndonëse kjo duket paradoksale), këtë, fatkeqësisht, e dikton vetë natyra e shoqërisë demokratike në epokën e sotme të paktën, sepse demokracia, me gjithë avantazhet e saj të mëdha, ka edhe ajo pikat e saj të dobëta.
Më vjen vërtet keq për ato e ata shqiptarë që votojnë për herë të parë: Votat e tyre të virgjëra do të flijohen në altarin e demokracisë së brishtë shqiptare dhe prej tyre do të përfitojnë pa dyshim të turbulltit, të paqartët, të luhaturit, të ngatërruarit, të komprometuarit, të djallëzuarit, të përlyerit, të pamëshirshmit, kush më shumë e kush më pak, politikanë që udhëheqin partitë tona. Por ky është ligji, kjo është loja e zgjedhjeve jo vetëm tek ne, por kudo edhe në vendet më demokratike. Fitimtarët e ardhshëm me siguri do të na zhgënjejnë pjesërisht, por unë u bëj thirrje të përpiqen të na zhgënjejnë sa më pak në mënyrë që ne, prindërve të Votave, të mos na brejë ndërgjegjja se do të kemi kurvëruar më tepër seç duhet bijat tona.
Votum... Një fjalë e vjetër, shumë e vjetër. Votim... një praktikë e vjetër edhe ai, në themel të sistemit demokratik, me gjithë kufizimet e imponuara nga vetë shoqëria njerëzore, nga vetë natyra e njeriut... Sidomos në Shqipëri... Sidomos nga njeriu shqiptar, homo albanicus. Që po ndryshon gjithsesi, sigurisht shumë ngadalë e me dhimbje, por po ndryshon në fund të fundit. Ndoshta, falë Votës së tij, drita e zbehtë në fund të tunelit do të shkëlqejë pak më shumë për ne, por veçanërisht për fëmijët tanë. Le të shpresojmë, por pa shumë entuziazëm.