Epilogu i fitores në disfatë të PDNga Besnik GjongecajZgjedhjet politike në Shqipëri, ashtu si zhvillohen dhe me krejt problemet teknike që bartin, janë bërë në fakt edhe forma më djallëzore nëpërmjet të cilës partitë politike, veçanërisht partia që
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Epilogu i fitores në disfatë të PDNga Besnik GjongecajZgjedhjet politike në Shqipëri, ashtu si zhvillohen dhe me krejt problemet teknike që bartin, janë bërë në fakt edhe forma më djallëzore nëpërmjet të cilës partitë politike, veçanërisht partia që kërkon të mbajë apo përgatitet të dorëzojë pushtetin, fshehin me kujdes largimin nga thelbi i problemeve politike dhe atyre të qeverisjes, duke përfshirë largimin nga vetë substanca dhe misioni i politikës. Fatkeqësisht, kjo situatë u bë tipike në qeverisjen e katër viteve të shkuara dhe pastaj, edhe në fushatën elektorale të organizuar nga PD. Bruce George, përfaqësues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, si personaliteti më energjik pjesëmarrës në takimin e parë të institucioneve ndërkombëtare me mediet shqiptare, vetëm një ditë pas zgjedhjeve në Tiranë, e përkufizoi në mënyrë brilante ekzistencën e dukurisë së shkëputjes së politikës shqiptare nga thelbi i saj, kur tha që shkaqet më të thella të mosplotësimit të standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri nuk janë çështje thjesht teknike dhe vetëm çështje që i përkasin procesit zgjedhor, por lidhen në mënyrë sinjifikative me fenomene të thella politike të vetë Shqipërisë dhe që ekzistojnë si të tilla të zhvendosura në kohë nga vetë procesi zgjedhor. Që procesi zgjedhor në Shqipëri të vendoset më në fund në “shinën” e standardeve, midis të tjerash, ai përmendi nevojën e një qeverisjeje të mirë në kohën midis dy zgjedhjeve, (good governance), përmirësimin rrënjësor të administrimit publik (public administration) dhe minimizimin e korrupsionit (corruption). Ishte një mesazh jashtëzakonisht i qartë. Së pari, Shqipëria do të mund të ketë standarde të pranueshme në zgjedhje, vetëm nëse do të stabilizojë demokracinë në kohën midis dy zgjedhjeve. Së dyti, standardet e zgjedhjeve do të mund të arrihen, vetëm atëherë kur proceset teknike të trajtohen teknikisht dhe proceset politike vetëm politikisht. “Përzierja” në trajtimin e tyre ka, ose synim manipulues, ose synimin e largimit nga përgjegjësitë, ose të dyja bashkë. PD, si një parti qeverisëse, hyri në zgjedhje pa i marrë këto dy mesazhe, megjithëse jo rrallë ato ishin artikuluar në forma të ndryshme edhe më parë. Ajo hyri në zgjedhje në një vend që, për shkak të qeverisjes së keqe të saj, po përjeton një krizë të thellë të mënyrës se si “jepet” demokracia, se si perceptohet dhe realizohet ajo. PD hyri në zgjedhje me tendencën e qartë për të politizuar procesin teknik zgjedhor dhe anasjelltas, për të shndërruar sa të mundej në teknik procesin politik të fushatës elektorale, duke zëvendësuar programin politik që një parti politike iu shpalos qytetarëve me një raport teknik që i shkon për shtat firmave të ndërtimit apo ndërmarrjes së dikurshme “Rruga-Ura”. PD konkurroi me ofertën e “gjatësive të rrugëve”, gjë që nuk është as politike dhe as meritë e saj. Ajo nuk i tregoi qytetarëve se ç’ka bërë për forcimin e demokracisë dhe sistemit demokratik në vend apo se si mendon të përmirësojë në të ardhmen jetën e shqiptarëve nëpërmjet forcimit të sistemit demokratik ekzistues: qeverisjes, administrimit publik, korrupsionit, shërbimeve, drejtësisë. Megjithatë, një pyetje gjithsesi qëndron. Pse Bruce George mendon që shkaqet më të thella të mosplotësimit të standardeve të zgjedhjeve lidhen me problemet që ka në thelb demokracia në Shqipëri? ǒlidhje kanë të gjitha këto, pra, ç’lidhje ka qeverisja, administrimi publik, korrupsioni, drejtësia, me gjëra teknike, si kartat e identitetit, regjistrin elektronik të zgjedhjeve apo me elementë fare “banalë”, si votimi në emër të familjes, grindja për një emër që nuk është në listë, numërimi i votave kur dhe si të na teket, intimidimi, dalja në rrugë e makinave të fitores, kur fitorja nuk është arritur, dhe mbi të gjitha, ç’lidhje kanë të gjitha këto me atë që quhet ndërgjegjja apo përgjegjësia e votuesit? Akoma më esencialisht: Pse nuk i arrijmë asnjëherë standardet, aq sa të duket sikur sa më shumë zgjedhje bëjmë, aq më shumë këto standarde largohen prej nesh? Pra, ç’është ky fatalitet, ky mallkim që na ndjek?
. . .
Qeverisja e mirë apo qeverisja në një sistem demokratik lidhet me zbatimin e dy parimeve të rëndësishme të saj: parimin “subsidiarity”, ose parimin e shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël dhe parimin “check and balance”, ose parimin e balancimit dhe kontrollit të pushteteve. Të zbatosh parimin e parë do të thotë që krejt pushtetin politik të marrë nga votat e qytetarëve të fillosh ta “ndash” midis individëve dhe institucioneve duke filluar nga rendi më i ulët në hierarkinë brenda kufijve të shtetit, pra duke filluar nga poshtë dhe jo nga lart. Nivelit të poshtëm t’i lësh aq pushtet sa ç’është e nevojshme për të zgjidhur problemet që lindin tek ai dhe pjesën që mbetet ta transferosh më lart, e kështu me radhë, nga qytetari, institucioni më i thjeshtë e deri te kryeministri, qeveria, parlamenti, presidenti. Shpërndarja e pushtetit ekzekutiv në Shqipëri nuk e ka ndjekur këtë parim. Pushteti ekzekutiv është përqendruar te kryeministri, gjë që e ka ulur në mënyrë dramatike efektivitetin e përdorimit të tij, pasi janë përjashtuar energjitë e individëve dhe të institucioneve në qeverisjen e këtij vendi. Këta të fundit nga aktorë janë shndërruar në spektatorë. Mungesa e zbatimit të këtij parimi automatikisht ka çuar edhe në ngushtimin e hapësirës së zbatimit të parimit të dytë, atij të balancimit dhe kontrollit të pushteteve. Jo vetëm në raport me pushtetet e tjera, por edhe në vetvete, pushteti ekzekutiv në Shqipëri është i zhbalancuar, sepse nuk është ndarë sipas parimit të parë, atij të subsidiaritetit. Prandaj, nuk mund të ketë as një sistem kontrolli efektiv të tij, por thjesht një kontroll sa për sy e faqe, fals. Këtë e ka dëshmuar edhe marrja përsipër e kryeministrit të kontrollojë korrupsionin nëpërmjet telefonatave të qytetarëve, pra, në thelb, u tentua që një institucion si ekzekutivi, që presupozohet si struktura më e ekspozuar ndaj korrupsionit, e prirur për ta mbuluar atë, paradoksalisht merr përsipër luftën ndaj tij. Moszbatimi i këtyre dy parimeve esenciale të një qeverisjeje të mirë, (good governance), ka sjellë ekzaktësisht të kundërtën e saj, pra qeverisjen cilësisht të keqe, por jo vetëm kaq. Ky deformim i qeverisjes është bërë edhe shkaku më i thellë i korrupsionit në Shqipëri.
Administrata publike, pra, krejt burokracia shtetërore, gjë që pavarësisht nga rotacionet politike mbetet e paprekur si pjesa kockore e realizimit pa “thyerje” të politikave afatgjata të një vendi, megjithëse e mbrojtur nën statusin e një shërbimi civil, u “administrua” nën terrorin e kontrollit politik. Kjo gjë shkatërroi tërësisht raportin e vetëm që e ruan atë si shërbim civil, pra raportin me ligjin. Konkurrimi u zëvendësua me klientelizmin, tarafet, çka e shndërroi këtë administratë nga garant të vazhdimësisë së qeverisjes, në “garant” të fshirjes së kujtesës qeverisëse. Administrata publike është goditur edhe më thellë, sepse është goditur drejt e në burimin riprodhues, ripërtëritës të saj. Trajtimi brutal i arsimit, veçanërisht vendosja e universiteteve nën kontrollin e politikës dhe nën një pushtet mediokër që nuk është parë kurrë më parë, ka zvogëluar skajshëm aftësitë rigjeneruese të kësaj administrate.
. . .
Është fare e qartë që jemi përfshirë në një simbioze negative, të përmasave tragjike, mekanizmi i së cilës i ka pushtuar pothuajse të gjithë shqiptarët, veçanërisht demokratët. Nga njëra anë, gjatë viteve të gjata të tranzicionit, PD i është larguar përmbajtjes politike të mesazheve të saj, duke i zëvendësuar ato me mesazhe teknike, pa përmbajtje, thjesht me mesazhe dixhitale, kodesh, emra firmash. Kjo gjë jo rrallë e ka demotivuar në thelb qytetarin, demokratin. E ka “zvogëluar” atë si të tillë, si qytetar, si demokrat, sepse e ka larguar atë nga problemet që ndesh demokracia e vendit të tij, ia ka fshirë shqetësimin, e ka bërë vulgar, të pandjeshëm, i ka riorientuar shijet e tij drejt një formimi jodemokratik. Thjesht e ka shndërruar atë në një qytetar të papërgatitur për demokraci, të gatshëm ta “shkelë demokracinë me këmbë”, sa herë t’i jepet rasti. E ka shtypur apo gjymtuar qytetarin në rolin e votuesit, e ka shndërruar atë në një votues që shpesh e ka të pamundur të vlerësojë realisht çfarë shkon apo çfarë nuk shkon në dobi të demokracisë në Shqipëri. E ka orientuar votuesin drejt një pragmatizmi vulgar, të pajisur me një vlerësim thellësisht cinik për votën që zotëron, mënyrën se si e përdor atë, rrjedhimisht e ka orientuar atë drejt psikologjisë primitive të shkëputjes së fatit personal nga ai i demokracisë së vendit të tij. Me qindra e mijëra njerëz në këtë vend e shohin votimin për një forcë politike, respektivisht për PD, si një mundësi për të mos u hequr nga puna, si një mundësi për të marrë një licencë, për të bërë një ndërtim, për të mos iu nënshtruar tatimeve, për të fituar një tender. Kjo psikologji primitive tashmë edhe një psikologji sunduese, është shndërruar nga ana tjetër në bazën më të gjerë të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit nga një forcë politike në Shqipëri, veçanërisht e demonstruar kjo nga qeverisja dhe në zgjedhjet e organizuara nga PD. Zvogëlimi i vlerave qytetare të votuesve, një proces ky i imponuar nga politika e PD, u shndërrua në shkakun kryesor që e motivoi PD të bëjë fushatë pa përmbajtje politike, pasi përmbajtja politike e fushatës u bë thjesht e panevojshme tashmë. “Qorrimi” i qytetarit, i demokratit, që harroi menjëherë se ç’ndodhi këto katër vjet, e motivoi PD të bëjë një fushatë, në qendër të së cilës nuk u vendos e ardhmja e demokracisë në këtë vend, por thjesht sendet, interesat e individëve, pra, jo zgjidhjet afatgjata, por interesat e momentit. Në thelb, politika e PD ka synuar në “zvogëlimin” e qytetarit si qytetar dhe nga ana tjetër, ky qytetar “i zvogëluar”, i papërgatitur për demokraci, i dha edhe njëherë shansin e keq PD të mos jepte llogari, të mos tregojë përgjegjësitë që rëndojnë mbi të, t’i shmanget fushatës me përmbajtje politike. Kjo gjë me siguri që nesër do të sjellë një gjymtim edhe më të madh të demokracisë në Shqipëri, një qeverisje edhe më arrogante, edhe më të keqe, gjë që nga ana e vet do të vazhdojë të gjymtojë vlerat demokratike të qytetarëve, demokratëve, votuesve në përgjithësi, të cilët nesër do të ri-shndërrohen përsëri në një terren për një tjetër proces zgjedhor pa standarde, për një fushatë tjetër numrash, asfaltesh, pra edhe për një qeverisje akoma më pak demokratike që vjen prej fushatave dhe zgjedhjeve të tilla. E mbërthyer në darën e kësaj simbioze negative, demokracia e këtij vendi ka hyrë në spiralen e vetëshuarjes, të mungesës së të ardhmes. Dalja nga kjo spirale tashmë është shndërruar në një proces shumë të vështirë, që do jetë edhe një proces i gjatë. E tillë, siç është ndërtuar kjo spirale, e ka bërë pothuajse të pamundur daljen në skenë të personaliteteve apo partive politike që do të mund të fitonin zgjedhjet politike në Shqipëri me idetë dhe programet e tyre, sepse, në psikologjinë ekzistuese, ata duhet në radhë të parë të ndërtojnë rrugë, të krijojnë favore personale pambarimisht dhe pastaj të fitojnë zgjedhje. Megjithatë, nuk është një mision i pamundur, nëse do të kuptohet qartë që PD, si shkaktare e gjendjes, nuk mund të jetë më pjesë e zgjidhjes së saj, as zaptuesit në krye të PD, por të tjerë, demokratët që kanë heshtur dhe shtrënguar dhëmbët prej shumë kohësh, sa herë që zaptuesit e PD “e kafshonin” demokracinë e këtij vendi në emër të tyre.