Episodi fatlum që zbuloi talentin më të madh shqiptar
Rastësia
Pasioni i Panajot Panos për sportin e top-këmbës lindi natyrshëm si për çdo fëmijë tjetër. Gjatë një interviste të mëparshme, ish-sulmuesi kishte zbuluar se që në moshën 4-5-vjeçare nuk mendonte për asgjë tjetër që nuk ishte futbolli. Pasi spikati në spartakiadat ndërmjet shkollave në kryeqytet, në vitin 1956 Pano u bë pjesë e ekipit të të rinjve të Tiranës, ndërsa në ndeshjen e parë, trajneri Xhavit Demneri e aktivizoi si portier. Aventura mes shtyllave ishte fare e shkurtër. Vetëm dy javë pas debutimit me bardheblutë, ndodhi edhe episodi fatlum: Tirana kishte shumë mungesa në një ndeshje miqësore me Partizanin dhe Pano aktivizohet si sulmues i djathtë, ku tregon të gjithë potencialin e tij. Prej atij momenti, trajneri nuk ia ndryshoi më rolin. Aty filloi edhe rritja e lojtarit, që brenda një kohe shumë të shkurtër do të kapte majat e futbollit në vend. Pasi u aktivizua edhe një sezon me të rinjtë, ku fitoi titullin kampion përkrah emrave si Skënder Halili, Naim Balla, Stefan Pavli, Fatmir Frashërin apo Aurel Verria, më 1957-n trajneri Myslim Alla e grumbulloi në ekipin e parë të Tiranës, madje e aktivizoi edhe në disa ndeshje të Kupës. Prej vitit 1960 deri sa mbylli karrierën më 1975-n, ai fitoi katër tituj kampionë me Partizanin, pesë Kupa, ndërsa është shpallur edhe 3 herë golashënuesi më i mirë i kampionatit (1960 me 12 gola, 1961 me 17 gola dhe në sezonin 1969-1970 me 17 gola). Më 1970-n Pano fitoi edhe Kupën Ballkanike me Kombëtaren, ndërsa ka realizuar 3 gola në 25 ndeshje me fanellën kuqezi.
#