Epoka e artë e fotografisë shqiptare
E panjohur në Perëndim, fotografia shqiptare paraqet pa dyshim një prej koleksioneve më të pasura të fotografisë në Ballkan dhe ndoshta një prej më të mëdhave në Europë. Ekspozita “Epoka e artë e fotografisë shqiptare”, e cila është hapur në shkurt në galerinë ‘Botanique’ në Bruksel, do të qëndrojë e hapur deri më 27 mars.
Kjo ekspozitë është mirëpritur nga adhuruesit dhe nga mediat vendore, të cilat fotografitë e Marubit i kanë krahasuar me ato të fotografit belg Norbert Ghisoland, një ekspozitë me fotografi të të cilit po ashtu është hapur muze të qytetit.
Historia e fotografisë shqiptare fillon me Pietro Marubin, pionier i vërtetë i cili e ka hapur studion e parë të fotografisë në Shqipëri në vitin 1850. Shumë shpejt, suksesi i kësaj studioje u përhap përtej kufijve të qytetit të Shkodrës dhe e tërë shoqëria shqiptare vinte të pozonte para fotoaparatit të tij.
Pas vdekjes së tij, disa gjenerata të fotografëve do të marrin përsipër dhe ta mbulojnë historinë dhe jetën lokale. Këta do t’i ofrojnë fotografisë epokën e artë shqiptare, e cila përfundoi vetëm në vitin 1944 me krijimin e diktaturës së Enver Hoxhës.
Galeria mbresëlënëse e portreteve që e kanë lënë pas dëshmon veprën sociale dhe artistike, e cila është zbuluar pas një gjysmë shekulli të represionit dhe të izolimit.
Dihet se në Shqipëri arti i fotografisë ka ardhur vetëm 17 vjet pas lindjes në vitin 1839. italiani Pietro Marubi e ka sjellë traditën europiane të fotografisë në njërin prej qyteteve më të zhvilluara të shekullit nëntëmbëdhjetë të Shqipërisë: në Shkodër.
Në vitin 1856, Marubi e ka hapur studion e parë fotografike shqiptare dhe për këtë ai ka pasur një reputacion të lartë në tërë gadishullin ballkanik. Sipas një studimi të Ismail Kadaresë, i cili i referohet fakteve historike, Pietro Marubi i lindur në Piaçenza të Italisë me 1934, për arsye politike iu desh të ikte nga vendlindja. Idetë politike, aktiviteti garibaldist dhe pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesit austro-hungarez të kohës kanë qenë, sipas Kadaresë, shkaqet kryesore që kanë shtyrë Pietro Marubin të ikë nga vendlindja e tij. Veç kësaj, aty rreth vitit 1850 ai ka kërkuar të vendoset pikërisht në Shkodër, duke u përpjekur të sigurojë azil politik pranë qeverisë osmane të kohës. Arkitekt, skulptor, piktor, Pietro e pat fillimisht artin e fotografisë një hobi, e më pas kjo do të bëhej profesioni i tij dukë hapur kështu të parën studio fotografike në Shqipëri dhe në Ballkan në vitin 1858.
Në një mjedis të tillë, Pietro Marubi pas disa vitesh qëndrimi në Shkodër, vetëquhet Pjetër Marubi, shkodran mes shkodranëve. Kështu ai nxjerr fotografinë e parë.
Ende nuk dihet data precize. Merret vesh vetëm viti 1858. Pak a shumë 24 vjeçar, Pjetri vendos aparatin magjik para luftëtarit shkodran 79 vjeçar Hamza Kazazi. Ky i fundit pozon i veshur me një kostum feste me fustanellë dhe një shpatë të gjatë dhe dy pistoleta jatagan varur në ije. Ky mësohet të jetë kontakti i parë i fotografit mjeshtër Marubi me botën shqiptare dhe që më pas do të pasohet nga disa të tjerë. Fjala merr dhenë.
Një italian ka ardhur në Shkodër dhe bën mrekullira dhe magjira. Njerëzit fillimisht e shikonin me frikë e më pas çdo gjë vjen natyrshëm. Krijohet kështu pra e para atelie, të cilën vetë Marubi e quajti Dritëshkronja. Sipas të dhënave dhe dëshmive të kohës, mësohet që atelieja të jetë diçka mes realitetit dhe mitikes, të paktën kështu konsiderohej asokohe. Një dhomë e madhe me sipërfaqe 35 metra katrorë, gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami. Ana e djathtë e mureve e edhe çatia ishin të tëra prej xhami, me qellim që drita të hynte edhe të depërtonte natyrshëm.
Për Marubin, reputacioni në pak vite vjen duke u rritur. Jo vetëm reputacioni, por edhe nami. Organet e ndryshme botërore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Kështu nuk është e rastit që fotografitë e kohës të Pietro Marubit, gjenden në shumë gazeta italiane dhe franceze të kohës.