E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eqrem Basha, letërsia ka humbur rrugën e lexuesit

00/00/0000  Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, i mbajtur në Durrës, risjell pas 15 vitesh poetin Eqrem Basha; cila është më e rrënjësishme për shkrimtarin për të pasur njohjen më elementare nga poetët ndërmjet dy vendeve Shqipëri-Kosovë; kriza e poezisë në kërkim të lexuesit; Festivali i Poezisë, ndërmjetësi për të njohur poezinë shqiptare në Evropë

I botuar në Francë, Poloni, Gjermani etj., poeti Eqrem Basha i indikuar dhe nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, thotë se letërsia e ka humbur rrugën drejt lexuesit të vet.

Për këtë, Basha, emërimin e parë të përgjegjësive ia kalon institucioneve si dy Ministritë e Kulturës, si në Kosovë dhe Shqipëri. Poezia e tij është botuar vetëm para 15 viteve në Shqipëri dhe, që atëherë Basha thotë se ndien një hendek të madh komunikimi midis shkrimtarëve nga të dy trevat.

“Këtu po shihet se paraqitja e autorëve, poetëve, po flas vetëm për shqiptarët, sepse në festival ka dhe të huaj, duhet të bëhet pak më e rrënjësishme, thjesht për shkak të njohjeve elementare që shihet se janë të nevojshme”, thotë Basha.

Dhe Shqipëria u bë me festival poezie, kur kohët e fundit është hapur debati se poezia është gjëja më e mundimshme për të shkuar te lexuesi?

Mendoj se, ndoshta dhe ky festival është pikërisht reagim i këtij mendimi, që poezia kishte hyrë gati në krizë në të gjithë trevat shqiptare, jo vetëm e përhapur kjo, por ishte bërë realitet për fat të keq. Jo vetëm poezia, por letërsia kohët e fundit ka humbur krejtësisht rrugën drejt lexuesit të vet dhe këtu para së gjithash, unë do të emëroja mungesën e interesit të institucioneve që të bëjnë diçka më konkrete për jetën tonë kulturore. Ju e shihni se në çfarë gjendje është libri sot, qoftë në Shqipëri dhe Kosovë, sepse në të gjithë trevat shqiptare nuk mendoj se ka ndonjë dallim të madh qëndrimi dhe qasje ndaj librit. Institucionet tona pothuaj kanë humbur çdo interesim që të bëjnë diçka në këtë drejtim. Ju shihni që Ministritë e Kulturës derdhin me qindra mijëra dollarë për ndonjë manifestim, variete e spektakël, të cilin e merr era pas dy ditësh, dhe nuk janë në gjendje të investojnë në një botim të rëndësishëm, i cili mund të jetojë dhe në dy mijë vjet.

Tani kur problemet fillestare të komunikimit ndërmjet dy vendeve janë kapërcyer, cila është frika për marrëdhëniet e reja, në këto vite, me librin?

Nuk do të duhej të kishte asnjë lloj frike, përkundrazi mendoj se raportet më të afërta, marrëdhëniet më të afërta, mund të sjellin një diversitet shumë interesant për lexuesin tonë. Dhe për t’i kryer këto afërsi, nuk ka nevojë për asnjë lloj filozofie.

Sot mund t’i hypësh makinës e të vish për 4-5 orë nga Prishtina në Tiranë apo nga Shkupi në Prishtinë. Është thjesht një mentalitet i çuditshëm, një distancë absurde, e cila nuk ka shpjegim. Unë vetë nuk mund ta them se përse ta zemë kalojnë muaj të tërë dhe njerëz që drejtojnë kulturën nuk gjejnë mundësi të takohen të paktën, dhe të themi në mënyrë spontane të hapin disa probleme që nuk janë të pazgjidhshme dhe nuk janë aq të larta.

Poetja Luljeta Lleshanaku tha se poetit Eqrem Basha iu drejtova anglisht, pasi ju kishte harruar dhe për pak kujtoi se nuk ishit shqiptar. Realisht ç’ishte kjo harresë për ju?

Ajo ishte një rast i parëndësishëm, se ne njihemi me Luljetën, se ngandonjëherë nuk sheh syri. Por le t’i kthehemi kuptimit të asaj që doli, ajo e kishte pikërisht për krijimin e disa distancave artificiale që nuk na nevojiten dhe mendoj që ky festival është në mos tjetër, ka pikërisht këtë vlerë; vlerën e afrimit të njerëzve që janë shumë të afërt me kulturë; vlerën e kontakteve më elementare, më të domosdoshme dhe një njohje më thjeshtësisht.

Është dhe një çështje tjetër, që vijmë te më konkretja, që këtu janë bërë disa lexime poezish, të shkëputura qoftë nga krijimtaria e sotme, po ashtu dhe nga shumë më e hershmja. Sa jeni në kontakt të të rejave letrare me autorët shqiptarë, si arrin të komunikosh personalisht me to?

Dua të them një fenomen, p.sh., në dy paraqitjet që pata lexova një zgjedhje nga e gjithë poezia ime, që nga fillimet deri në ditët e fundit. Pë të ishte ky një publik me të cilin do të kisha pasur kontake të shpeshta, do të lexoja vjershat e fundit. Mirëpo e pashë që këtij publiku i nevojitet njohja elementare e Eqrem Bashës. Madje, disa m’u afruan duke më bërë vlerësime të veçanta, specifike për poezinë. Është e vërtetë që para 15 vitesh më është botuar një libër nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe më pas kam botuar disa libra, por ata kanë mbetur të bllokuar në Prishtinë, nuk kanë lëvizur, nuk kanë qarkulluar edhe në Shqipëri. Këtu po shihet se paraqitja e autorëve, poetëve, po flas vetëm për shqiptarët, sepse në festival ka dhe të huaj, duhet të bëhet pak më e rrënjësishme, thjesht për shkak të njohjeve elementare që shihet se janë të nevojshme.

Po nga kontaktet me autorët e huaj ç’mund të na thoni?

T’ju them të drejtën kam udhëtuar shpesh dhe kam frekuentuar shumë festivale, sidomos evropiane. Këtu ka disa autorë që i njoh nga festivali i Roterdamit, Mesdhetar apo takimet e tjera nëpër Evropë. Këto janë takime të rëndësishme, por njohjen e letërsisë dhe poezisë shqipe dhe jashtë kufijve tona kombëtare. Prandaj duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Këtu pa dyshim është dhe roli i veçantë i organizatorit të këtyre takimeve, që të dijë të zgjedhë gjithmonë njerëz, të cilët do të dijnë t’ia kthejnë këtë të mirë, që do të thotë ta vënë në kontakt letërsinë shqipe me një publik më të gjerë evropian.

Poezia juaj godet tamam si fryma e poezive të Zhak Preverit, enigmatike dhe tërheqëse, cila është ithtaria e poezisë moderne?

Nuk e di, mund të them që është një poezi me qasje urbane. Nuk di nëse ka përafërsi preveriane, sidoqoftë jam ithtar i një poezie më konkrete, por jo konkrete deri në atë shkallën e moralizimit, natyrisht. Dhe konkretësia, ironia, besoj që janë vlera të poezisë moderne, të sotme.

Jemi prap në një pikë mjaft të nxehtë për shkrimtarët, që ka të bëjë me njohjen-për të mbërritur tek lexuesi, dhe për të marrë një vlerësim profesional nga kritika...

Të rëndësishme janë të dyja. Lexuesi të jep nxitje dhe, natyrisht çdo krijues shkruan me shpresë se dikush do ta lexojë. Kritiku gjithashtu të jep një përkrahje morale, që jep një vlerësim profesional të punës që ke bërë. Nuk mund të hedh poshtë asnjërën. Mungesën, personalisht ua ndjej të dyve, pasi një krijuesi i nevojitet dhe mendimi i një lexuesi dhe i kritikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›