E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Er-Bomber” në kërkim të golit të 20 në Serinë A

Erion Bogdani në kërkim të golit të 20 në Serinë A. E diela në Serinë A ka një shije të vecantë për dy nga katër lojtarët shqiptarë që janë pjesë e skuadrave të një kampionateve më të fortë në botë.
Sfida propozon një duel Lacio-Livorno, ku në gjirin e dy skuadrave luajnë ish-kapiteni i Kombëtares, Igli Tare (Lacio) dhe sulmuesi kryesor i kuqezinjve Erion Bogdani (Livorno).
Në takimin e fazës së parë Livorno humbi në shtëpi 0-1 me Lacion (goli i maqedonasit Pandev). Erion Bogdani luajti në atë takim nga minuta e 70-të, ndërsa Tare asnjë minutë (Behrami 90 minuta).
Livorno është duke e përgatitur në mënyrën më të mirë sfidën për mbijetësë në Serinë A. Në testin e fundit miqësor të Livornos brenda familjes, Erion Bogdani shënoi një dopietë dhe trajneri Kamoleze pritet të hedhë nga minuta e parë kundër formacionit të Tares e Berhamit. "Er-Bomber" shpreson të shënojë në "Olimpiko" të Romës edhe golin e tij të 20-të në Serinë A (19 të shënuar deri tani në Serinë A, 25 në Serinë B).
Edhe Igli Tare nga ana e tij u tregua i pakursyer teksa shënoi katër gola në fitoren 13-0 të Lacios në miqësoren me diletantët e Tor de Cenci (një gol i Behramit).
Në garën virtuale sezonale midis dy lojtarëve shqiptarë statistikat ofrojnë këto të dhëna: Bogdani, 18 ndeshje, 1 gol (nota mesatare 5.6). Golin e vetëm me fanellën e Livornos, sulmuesi 30-vjecar shqiptar e shënoi kundër Juventusit në humbjen 3-1.
Tare është aktivizuar shumë pak nga trajneri i Lacios, Delio Rosi, vetëm katër ndeshje, si zëvendesues i minutave të fundit (nota mesatare 5.96).
Por megjithatë, 34-vjecari ka shënuar dy gola të rëndësishëm, një në kampionat dhe një tjetër në Kupën e Italisë, ku i dhuroi edhe kualifikimin Lacios.
Në total me fanellën e Lacios gjatë tre sezoneve Igli ka realizuar 4 gola, nga 38 gola të shënuar në kampionatet maksimale në Itali e Gjermani. 20 gola në kategorinë e dytë (në Gjermani).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›