Pejic: Daja, më i përgatitur se Canaj

Sokol Paja - Sulmuesi kroat i dinamos Pero Pejic ka deklaruar se me ardhjen e Ilir Dajës në krye të bankinës së Dinamos gjërat kanë marrë zhvillim shumë pozitiv. Bomberi i kampionatit shqiptar me 13 gola deklaroi se Ilir Daja është shumë më i përgatitur se paraardhësi i tij Agim Canaj. "Daja është një trajner shumë profesionist. Ai drejton shumë mirë. Ai ka të dhëna dhe aftësi shumë më të mira sesa trajneri Canaj. Që kur ka ardhur ai, Dinamo është cliruar nga presionet dhe tashmë është në rrugën e duhur", tha kroati Pejic. Sipas sulmuesit të bluve, Ilir Daja është zgjedhja dhe zgjidhja më e duhur në krye të ekipit të Dionamos. Pejic këmbëngul se trajneri i ri, që më parë ishte drejtor teknik ka aftësi shumë të mira për sa i përket faktorit psikologjik të ekipit. "Daja është shumë ndryshe nga Canaj edhe në aspektin e përgatitjes psikologjike të ekipit. Canaj të mbante gjithmonë nën presion. Ndërsa Daja është i kundërti i tij. Ai na jep zemër dhe na frymëzon përpara se të luajmë dhe në vecanti gjatë ndeshjes, atëherë kur edhe situata është edhe më e komplikuar. Canaj nuk dinte të na jepte sado pak mbështetje. Daja është shumë më ndryshe sepse krahas faktorit sportiv ai punon me ekipin në të gjithë faktorët e tjerë si psikologjik, moral etj, dhe kështu jemi më të fortë për të ecur përpara", shtoi Pejic. Më tej në prononcimin e tij, Pejic tregon se ndeshja e humbur me Partizanin 0-1 që i kushtoi Canajt shkarkimin dhe Dinamos i dha rrugën drejtë fundit duke i komplikuar mjaft gjërat, faji i tëri i ishte i trajnerit Canaj. "Kur humbëm me Partizanin, fajin e kishte ai sepse nuk na lejonte që të luanim në sulm. Kujdes prapa, kujdes prapa, gjithë kohën vetëm këtë dinte të thoshte, asnjëherë nuk na lejonte që të luanim në sulm. Nuk shënohet gol nëse luan i tërhequr si ekip. Ai na mbante shumë larg portës dhe fushës kundërshtare. Nuk mund të arrinim rezultatet e kërkuara sepse loja larg portës së ekipit dhe e tërë skuadra në mbrojtje nuk ia dilet. Daja edhe kur ishim 2-0 pardje me Partizanin, në dhomat e zhveshjes na tha që të luajmë përsëri në sulm dhe të arrijmë që të shënojmë edhe gola të tjerë. Ekipi i mirë duhet që të sulmojë gjatë gjithë kohës. Një ose dy gola nuk janë garanci për rezultatit përfundimtar të ndeshjes. Në shumë raste jemi ndëshkuar nga rreshtimi i gabuar të gjithë në mbrojtje. Kjo është në dëm të ekipit. Sulmi është mbrojtja më e mirë", theksoi në arsyetimin e tij Pejic. "Unë ndihem shumë mirë te Dinamo. Do të dëshiroja që të isha këtu edhe sezonin tjetër. Jam shumë i lumtur sepse arrita edhe të shënoj një gol të rëndësishëm dhe po arrij formën time më të mirë", u shpreh Pejic.
Në lidhje me fitimin e titullit kampion nga Dinamo Pejic tha se: "Është herët të mendojmë për titull. Ka shumë ndeshje që të luhen dhe nuk i dihet. Është rrugë e gjatë deri në fund". Dëshira më e madhe e tij është që të dalë kampion por edhe sikur të fitonte trofeun e Këpucës së Artë do të ishte shumë arritje për sulmuesin. "Ne kemi një grup futbollistësh shumë të mirë. Jemi të parët dhe shpresojmë që t'ia dalim mbanë deri në fund të kampionatit. Momentalisht jemi tre pikë më shumë se Partizani dhe këtij kundërshtari i druhemi pasi Tirana tashmë mendoj se i ka dhënë lamtumirë titullit. Ajo ndodhet shumë larg vendit të parë dhe mendoj se vetëm Partizani është rivali ynë direkt. Unë them se mbi të gjitha ka rëndësi që të fitojmë titullin kampion, ai është objektivi ynë parësor", përfundoi sulmuesi kroat i Dinamos, Pero Pejic.