E Shtunë, 31 Tetor 2026

Era e fortë, italianët pezullojnë lundrimet

22/02/2009  Asnjë traget drejt Durrësit. Moti i keq do të vijojë dhe në 2 ditët e ardhshme

DURRES- Asnjë nga tragetet e linjës Bari-Durrës apo të linjave nga Ankona dhe Trieste nuk kanë nisur lundrimin. Moti i keq me erë shumë të fortë dhe dallgë të larta ka detyruar kapitanerinë e Barit të mbajë në terminalin e saj të gjitha tragetet.

Pezullimi i lundrimeve

Dje kapitaneria e portit të Durrësit ka bërë të qartë se asnjë traget nuk është lejuar të dalë në det të hapur për shkak të sigurisë. Moti me shumë probleme është në ujërat italiane ngase era me drejtim nga veriu ka sjellë shumë shqetësim për të gjitha mjetet e lundrimit, mes tyre edhe për tragetet. Duket se ka qenë shmangia e çdo të papriture në det që ka shtyrë autoritetet portuale të Barit për të mos lejuar lundrimin drejt Durrësit. Nga ana tjetër është thënë se nuk ka asnjë lloj deklarimi që vjen nga përtej detit për të rinisur lundrimet. Dje terminali i trageteve në portin e Durrësit ka qenë i boshatisur ngase nga tre tragete të Barit nuk ka ardhur asnjëri. Deti dje ka regjistruar 5 ballë dhe era shpejtësi deri në 17-18 m në sekondë. Por shërbimi meteorologjik në Durrës ka sinjalizuar situatë të paqëndrueshme edhe për dy ditët e ardhshme. Në kapitaneri nuk është thënë nëse do të ketë nesër lundrime të trageteve drejt Durrësit, ndërkohë që raste të tilla janë të rralla, por jo të panjohura për autoritetet e kapitanerisë së Barit dhe Durrësit. Në rastet kur era fryn nga veriu dhe me shpejtësi të madhe në ujërat italiane të Adriatikut ka probleme, ndërsa problem për ujërat shqiptare është kur era fryn nga veri-veriperëndimi.

STREHIMI

Thuajse të gjitha portet e Adriatikut kanë pasur një ditë më parë të njëjtin shqetësim dhe kjo ka bërë që drejt portit të Durrësit të mos lundrojë asnjë anije e huaj apo shqiptare. Një pjesë e atyre mjeteve që kanë qenë në lundrim janë strehuar në ishuj apo edhe në portet e Adriatikut, ndërkohë në kapitanerinë e portit nuk është thënë nëse do të ketë nesër lundrime të trageteve drejt Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›