E Diel, 1 Nëntor 2026

Era e fortë nxjerr në cekëtinë një anije tregtare

Moti i keq ka paralizuar dje aktivitetin në Portin e Vlorës. Dy tragetet e linjës Vlorë-Brindisi nuk kanë mbërritur në orarin e përcaktuar, madje vetëm një nga dy traget ka arritur deri në Vlorë, me disa orë vonesë. Drejtues të Kapitanerisë së Portit thanë se deti i trazuar me intensitet 6-7 ballë në gji dhe deri në 8 ballë në det të hapur, si dhe shpejtësia e erës 25 deri në 30 metër në sekondë ka vështirësuar aktivitetin normal të portit. Për shkak të kësaj situate në Gjirin e Vlorës, një anije tregtare nuk ka përballuar qëndrimin në spirancë dhe forca e dallgëve dhe e erës e kanë nxjerrë në cekëtinë pranë plazhit të vjetër. Bashi i anijes është bllokuar në rërë, por kjo nuk ka shkaktuar dëme materiale dhe as njerëz të lënduar. Oficeri i Kapitanerisë së Portit Artan Bello, shpjegoi se anija NOVA e dalë në cekëtinë në zonën e plazhit të vjetër, ishte e drejtuar për në Drepona, në Greqi dhe vinte nga Durrësi. Ajo është anije tregtare dhe kishte në bord disa marinarë, të cilët janë shëndoshë e mirë. Deti i trazuar ka krijuar probleme dje edhe në Portin e Sarandës, ku janë pezulluar lundrimet e trageteve të linjës Korfuz-Sarandë e anasjelltas. Shkak është bërë dallgëzimi i shtuar, që ka arritur në 7 deri 8 ballë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›