E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-PD, debat në Kuvend për punën e policisë

Deputetët e PS-së, Stefan Çipa dhe Pirro Lutaj, kanë ngritur dje në sallën e Kuvendit shqetësimin për mungesën e luftës ndaj krimit të organizuar në vendin tonë. Duke sjellë edhe njëherë në vëmendje raportin e fundit të DASH-it, Çipa dhe Lutaj kanë kritikuar qeverinë për mungesën e efikasitetit në këtë fushë. Gjatë diskutimit të tij, deputeti Çipa i kujtoi mazhorancës dhe qeverisë se raporti i DASH-it nxori bojën e demagogjisë së qeverisë. Duke bërë krahasime me qeverisjen e PS-së, Çipa u tha deputetëve të mazhorancës se ata u lanë jo pak strategji kombëtare për luftën kundër krimit të organizuar të përgatitura me asistencë ndërkombëtare. Duke u ndalur te policia, Çipa tha se ka pasur shumë raste, sidomos në fushën e emërimeve dhe largimeve, ku vendimet janë marrë nga instanca të larta politike.

Por, shtoi Çipa, "DASH ju tërhiqte vëmendjen në atë kohë ku citonte se: Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90% e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan. Në shumë raste, personeli i ri nuk kishte përvojë të mëparshme, kualifikimin e duhur, apo një ide të qartë të funksionimit të kufirit". Por deklaratat e deputetëve Çipa dhe Lutaj janë kundërshtuar nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Ai nënvizoi faktin se lufta ndaj krimit të organizuar është gjithmonë në rritje dhe kjo ndihet çdo ditë dhe më shumë nga vetë qytetarët shqiptarë. Sipas ministrit, sulmet e opozitës janë të pabaza dhe qeveria është e vendosur për të vazhduar luftën ndaj krimit në vend.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›