E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau vëllain dhe e tregoi si vetëvrasje, arrestohet lazaratasi

Policia e Gjirokastrës ka arritur të zbulojë pas 12 ditësh një vrasje të ndodhur në një familje në fshatin Lazarat. Ngjarja e ndodhur më 22 shkurt të këtij viti ishte trajtuar fillimisht si vetëvrasje, pasi këtë version kishin dhënë dëshmitarët okularë, që janë vëllai i viktimës dhe gruaja e tij. Por, pas hetimeve rezultoi se bëhet fjalë për një krim brenda familjes dhe policia vuri në pranga dje vëllain dhe kunatin e Adriatik Skënderit, 34-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin e Gjirokastrës. Policia e Gjirokastrës njoftoi dje për arrestimin e Dritan Skënderit, 36 vjeç dhe bashkëshortes së tij, 26-vjeçares Refike Gjini, që të dy lindur dhe banues në fshatin Lazarat. "Ndalimi i tyre u bë pas një pune intensive hetimore, nga specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj personit me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si këqyrja e vendit të ngjarjes në fshatin Lazarat, këqyrja e kufomës", tha zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Ai sqaroi se "si rezultat i punës dhe informacioneve të marra në rrugë operative ka rezultuar se më datën 22 shkurt 2009, rreth orës 00.15, Dritan Skënderi në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Refike Gjini, ka vrarë me armë zjarri, pas një konflikti për motive të dobëta në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Lazarat, vëllain e tij, Adriatik Skënderi". Nga veprimet hetimore është bërë e mundur dhe sekuestrimi i armës së krimit, automatik model 56. Arrestimi i burrë e grua, u bë për veprën penale të "Vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim". Në këtë ngjarje mbeti i plagosur në krah edhe Dritan Skënderi. Ai tha në polici, natën e ngjarjes, se ishte plagosur gjatë tentativës për t‘i hequr armën nga dora vëllait, i cili kishte vendosur të vetëvritej. Policia e mori parasysh këtë version të ngjarjes, pasi në armë u gjetën edhe shenja gishtash të viktimës. Por pas kryerjes së ekspertizës mjekoligjore të trupit, rindërtimit të skenës së krimit dhe marrjes në pyetje disa herë të familjarëve, hetimi ndërroi rrjedhë. Dje, ekspertët e policisë arritën të siguronin të gjitha provat që vërtetojnë se bëhet fjalë për një vrasje dhe arrestuan të dyshuarit si autorë të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›