Rrebeshi prish linjat elektrike dhe bllokon portin
Keqësimi i kushteve atmosferike gjatë 24 orëve të fundit ka sjellë pasoja në rrjetin energjetik të Durrësit, si dhe në lëvizjen e trageteve dhe anijeve tregtare mbi Adriatik. Për shkak të shtrëngatave të shiut gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes janë dëmtuar linjat e tensionit të lartë. Burime nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bënë të ditur se si rezultat i një avarie të shkaktuar në linjën 35 kv Shkozet-Shijak-Vorë zonat e Shijakut dhe Manzës në Durrës e Vorës në rrethin e Tiranës kanë ndërprerje të energjisë elektrike. Gjatë ditës së djeshme brigadat e punës me teknikë të OSSH-së kanë punuar për riparimin e avarisë për të risjellë energjinë e munguar në këtë zonë të banuar të popullatës. Ndërkaq, në Portin Detar të Durrësit ka pasur vonesa të theksuara në mbërritjen e trageteve nga Porti i Barit. Deti i trazuar dhe me dallgë ka krijuar vështirësi në lundrim dhe tragetet kanë pasur vonesa deri në 5-6 orë. Burime nga kapitaneria bënë të ditur se u janë dhënë udhëzime të gjithë operatorëve në port dhe ekuipazheve të anijeve që të marrin masa sigurie për të shmangur të papriturat apo ndonjë përplasje të mundshme. Gjatë paradites, përpunimi i anijeve tregtare u ndërpre për shkak të reshjeve të shiut.