Zhduken në Adriatik dy peshkatarë
Dy peshkatarë rezultojnë të zhdukur që nga paraditja e djeshme kur motobarka e tyre është përmbysur në ujërat e detit Adriatik, në plazhin e Divjakës. Policia lokale, Kapitaneria e Durrësit dhe ajo e Vlorës janë alarmuar. Në kërkim të peshkatarëve që mendohet se janë mbytur, përveç policisë kufitare të Fierit janë mobilizuar edhe forca të Guardia di Finacës, si dhe ato të policisë kufitare të Vlorës, të cilat janë lajmëruar menjëherë pas konstatimit të zhdukjes. Gjithashtu, mësohet se deti i trazuar me dallgë të mëdha ka qenë jofavorizues për operacionin e kërkimit dhe "tërbimi" i tij ka shkaktuar edhe përmbysjen e motobarkës. Sipas të dhënave nga posta policore e Divjakës, mësohet se varka me një motor të vogël ka dalë në det rreth orës 09:00 të mëngjesit të së enjtes. Peshkatarët Vangjel Tungu, 56 vjeç dhe Stavri Prendi, 47 vjeç, kishin hedhur rrjetat një ditë më parë rreth 300 metra larg bregut dhe ishin nisur në mëngjes t‘i mblidhnin ato. Bashkë me ta, në det janë futur edhe disa varka të tjera, ndërsa disa peshkatarë të tjerë prisnin në breg për të ndihmuar në nxjerrjen e rrjetave. Peshkatarët e ndodhur në bregun e detit dhe ata që ishin në varkat e tjera treguan se varka me dy peshkatarët është përmbysur për shkak të erës së fortë që filloi papritur dhe shkaktoi dallgë të mëdha. "Gjithçka që ishte në varkën tonë e mori uji. Shpëtuam vetëm se u mbajtëm fort pas dërrasës", tregoi në polici Pandi Gorea, një peshkatar. Policia sqaroi se furtuna në det ka shkaktuar përmbysjen e varkës e për rrjedhojë dy peshkatarët kanë rënë në ujë. Pas disa minutash betejë me dallgët, ata janë zhdukur nën ujë, pa marrë asnjë ndihmë, pasi peshkatarët e tjerë që ndodheshin pranë tyre rrezikonin edhe vetë të mbyteshin. Ata që ndodheshin në breg kanë njoftuar menjëherë policinë. Në plazhin e Divjakës kanë shkuar fillimisht efektivë të postës së policisë së qytezës. Më pas në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe krerët e Komisariatit të Lushnjës për të vijuar me ata të Drejtorisë së Policisë së qarkut. Varka e përmbysur është gjetur një milje larg bregut të detit. Policia kufitare e Fierit, si dhe radarët që ajo ka në dispozicion nuk kanë dalluar asnjë shenjë në sipërfaqen e ujit. Gjithashtu, policia kufitare e Fierit ka kërkuar ndihmën e kapitenerive të porteve të Vlorës dhe Durrësit, si dhe ndihmën e "Guardia di Finazzia". Ndihma e këtyre ka vonuar për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar. Rreth dy orë më pas në ujërat e plazhit të Divjakës kanë mbërritur palombarët, të cilët kanë nisur operacionin e kërkimit. Kreu i Komisariatit të Policisë së Lushnjës, Agron Sulshabani, i cili ka ndjekur nga afër operacionin tha se kërkimet për gjetjen e trupave të dy peshkatarëve janë ndërprerë pa rezultat në muzg dhe do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme. Ai ka siguruar familjarët e peshkatarëve të zhdukur për gjetjen sa më shpejt të trupave. Ky është rasti i dytë i humbjes së jetëve në det brenda këtij viti. Në janar, dy vlonjatë humbën jetën pasi humbën kontrollin e gomones, që përfundoi në brigjet e Kroacisë.