Era e frikësNga Pishak Zhgaba, Peizazhe të fjalësEdhe frika mban erë. Ose më qartë, frika mund “të nuhatet“, ashtu siç mund të komunikohet. Kur paskemi frikë, mbakemi erë frikë. Ndodh në mënyrë të pavetëdijshme. Mediet na njoftuan për studimin e Uni
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Era e frikësNga Pishak Zhgaba, Peizazhe të fjalësEdhe frika mban erë. Ose më qartë, frika mund “të nuhatet“, ashtu siç mund të komunikohet. Kur paskemi frikë, mbakemi erë frikë. Ndodh në mënyrë të pavetëdijshme.
Mediet na njoftuan për studimin e Universitetit të Dyseldorfit lidhur me sjelljen e disa studentëve në prag të provimeve. Sipas këtij kërkimi shkencor, qeniet njerëzore, sikurse kafshët, e komunikojnë ankthin e frikës nëpërmjet feromoneve (mesazheve kimike), të cilat kapen nga nuhatja e tjetrit dhe përkthehen më pas nga qendrat e paracaktuara të trurit. Me sa duket, frika bën që të lëshohen në ajër disa substanca kimike, të cilat perceptohen nga bashkëfolësit duke stimuluar të njëjtën ndjenjë. Me fjalë të tjera, në qoftë se frika do të ishte sëmundje, do të rreshtohej pa dyshim tek infektivet.
Nuk kam arsye të dyshoj tek studimi në fjalë, ndonëse ushqej mosbesim të thellë ndaj procesit, gjithnjë e më shumë në modë, të përkthimit të ndjenjave me formula kimike, sipas të cilit si dashuria, ashtu edhe urrejtja, si simpatia, ashtu edhe antipatia, mund të shpjegohen me lëvizje substancash kimike në tru. Karakteri mekanik i këtyre shpjegimeve nuk më ka bindur kurrë, ndoshta për faktin se njeriu për mua do të mbetet gjithnjë mister i ndërlikuar, ndaj u rri larg thjeshtëzimeve shkencore, që na shfaqen shpesh sikur të ishin gatuar posaçërisht për titullistët e gazetave.
Pra frika përhapet në mënyrë ngjitëse, nga njeriu tek njeriu. Porse, frika e vetme që kam tani (mos mbaj erë frikë në këtë çast?) është se mos ky mekanizëm njihej prej kohësh nga ekspertët e frikës. Ngaqë përnjimend kam dyshime për reduktuesit e jetës në formula të thata kimike, kurse për përhapjen e frikës, sidomos në shoqëritë e sotme moderne, kam bindje tejet të sigurt. Veçse, mbetet për t’u zbuluar se sa për qind e frikës së lëngshme të Zygmunt Baumanit përhapet biologjikisht (nga njeriu tek njeriu) dhe sa për qind mediatikisht (nga mediet te njeriut). Për mënyrën e dytë studimet janë të pafundme, por do të mjaftonte njoftimi radiofonik i Orson Welles për ardhjen e alienëve, për ta respektuar forcën mediatike në përhapjen e panikut. Pamjet e Kullave binjake në shkatërrim e sipër i përkasin një brezi më të sofistikuar përdoruesish të frikës. E fjala “përdorues” në shqip ndoshta i shkon më për shtat diskursit tonë, meqë nuk i dallon aq qartë instrumentalizuesit nga pësuesit, manipuluesit nga të manipuluarit, frikësuesit nga të frikësuarit.
Po të shqetësoheshim për të ardhmen, paksa naivisht, do të mendonim për të eturit për pushtet dhe diktatorët gjithfarëlloj. Tani, pas këtij studimi, do të dinë më mirë si ta përhapin frikën, për t’u shfaqur më pas me petkat e deus ex machina në zgjidhje të situatës. Por kam frikë (prapë mbaj erë?) se mekanizmin e kanë njohur fare mirë prej kohësh; ashtu natyrshëm, me nuhatje kafshore, pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme, sikurse përçohet ndjenja e frikës. Besoj se turmat nuk janë jashtë loje nga kjo “lojë”. Kanë qenë dhe janë laboratorë të përkryer në këtë fushë. Tek e fundit, turma mbetet përçuesi i përkryer i frikës, sepse distanca fizike midis individëve është e reduktuar. Ndoshta, edhe për këtë arsye, shkurtimi i distancës nga trupi në trup e rrit përpjesmërisht ankthin e tyre. Paniku duhet të jetë stadi final i frikës, por këtu duhet studiuar era e adrenalinës jo e frikës. Gjithsesi, ku ka turma ka edhe liderë; madje këta, sidomos pas këtij kërkimi shkencor, shfaqen në mënyrë magjike (edhe) si zotëruesit e feromoneve të frikës, si qetësuesit e ankthit të turmës, si alkimistët e kimisë kolektive.
Si do ta përdornim instrumentin hipotetik frikometër, sikur ta kishim në dorë sot? “Je shumë i shqetësuar sot, i dashur. Fute nën sqetull frikometrin, pastaj po qe nevoja, pi një kamomil”. Do ta vendosnim në aeroporte për të gjetur terroristë? “Ding dong… ju informojmë se aeroporti ynë është i pajisur me frikometra dixhital녔. Apo do t’i pajisnim drejtorët e shkollave për t’i përdorur para provimeve? “Eja këtu djalosh, të shohim nëse je përgatitur apo ke frik녔. Po parashikimet e frikës? “Vjeshtën e ardhshme parashikohet piku i epidemisë së frikës, i favorizuar nga tubimet elektorale, grevat, manifestimet dhe autobusët plot e për plot…”. Po historianët e frikës, a do të shkruanin për frikën në totalitarizëm? “Pas bombës në Ambasadën Sovjetike kryeqyteti kundërmonte nga era e frikës…”. Po etnologët? “Ky sënduk i shekullit XV përmbante këto tirqe të zeza me erë frike…”.
Studimi i lartpërmendur na sjell ndërmend pyetje të tjera: Me ç’njësi do ta masnim frikën? Po frikën nga frika? Parafrikën? Postfrikën? Por ka edhe përgjigje. Studimi na shpjegon deri diku njërën nga mënyrat e transmetimit të frikës. Sikur të kishim studime të tjera, edhe më mirë do ta njihnim fenomenologjinë e frikës; dhe, në kufijtë e arsyes, do të dinim ta kontrollonim, ose të paktën, ta shpjegonim. Çka nuk është pak.
* xhaxhai.wordpress.com