E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Bashkëqeverisja me PD do ta forcojë identitetin e LSINga Arben Muka, Deutsche WelleZoti Meta, vendimi për një bashkëqeverisje PD-LSI erdhi më shumë si nevojë e numrave të mandateve apo si ngjashmëri programesh mes dy partive? Mendoj se

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ilir Meta: Bashkëqeverisja me PD do ta forcojë identitetin e LSINga Arben Muka, Deutsche Welle

Zoti Meta, vendimi për një bashkëqeverisje PD-LSI erdhi më shumë si nevojë e numrave të mandateve apo si ngjashmëri programesh mes dy partive?

Mendoj se ky vendim është imponuar si zgjidhja e vetme për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme, në funksion të reformave të integrimit evropian dhe njëkohësisht për një opozitë të fortë dhe të qëndrueshme si ajo e PS. Ky vendim erdhi si rezultat i një ndërgjegjësimi dhe pjekurie politike, për të parë të gjithë elementët e përbashkët mes PD dhe LSI, në interes të një qeverisjeje funksionale, më përfaqësuese, e angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet që dalin nga kërkesa e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.

Kritikë brenda dhe jashtë partisë tuaj kanë folur për një “nxitim të pajustifikuar”, për t`i thënë PO ftesës së Partisë Demokratike. Të paktën nga ajo që u pa publikisht, gjithçka u mbyll për rreth 100 minuta. Si e komentoni këtë?

Vendimi ka qenë shumë i qartë dhe shumë i shpejtë, për arsye se nuk ka pasur zgjidhje të tjera. Dy ishin ato: ose bashkëpunim mes LSI dhe PS, që shtynte vendin drejt krizës, sepse nuk jepte dot një formulë qeverisjeje të qëndrueshme, ose bashkëpunim LSI me PD, që jep një mesazh qetësues, stabilizues e perspektiv për të ardhmen e vendit. Për më tepër që ne vumë re inskenime për tensionim, që synonin për të nxjerrë situatën e rendit jashtë kontrollit, thjesht për arsye të ngushta politike. Ata që kundërshtojnë për procedura, nuk kanë qenë dhe janë për këtë zgjidhje, por ata nuk japin asnjë zgjidhje tjetër veç krizës.

Në një bashkëqeverisje me një forcë të djathtë, deri dje kundërshtare me ju, a shikoni ndonjë rrezik për identitetin e LSI? Të paktën ju e keni quajtur vazhdimisht partinë tuaj si “forca e vërtetë e majtë”...

Nuk besoj se bashkëqeverisja me PD do të zbehë rolin e partisë LSI. Përkundrazi, mendoj se ajo do ta forcojë identitetin e saj. Në rast se dje kjo forcë është paragjykuar se bën çdo gjë në funksion të PS, sot është e qartë se LSI çdo vendim e merr në funksion të së ardhmes së vendit dhe programit të saj për integrimin evropian të vendit. Absolutisht, kjo do të jetë një bashkëjetesë e qëndrueshme, një bashkëjetesë konstruktive, duke sjellë një kulturë te re politike në vend, por dhe në qeverisjen e vendit.

Zoti Meta, a ka ndonjë kusht të panegociueshëm për LSI në ndërtimin e qeverisë së re?

Ajo që ne kemi kërkuar si garanci kryesore nga PD, është angazhimi i saj që në zgjedhjet e ardhshme LSI të ketë të gjitha të drejtat e saj, të barabarta për të qenë pjesë e një procesi të ndershëm. Dhe jo siç ndodhi këtë radhë, kur u bë një Kod për goditjen dhe asgjësimin e saj. Këtë garanci ne e kemi marrë. Për çështje të tjera që po diskutojmë ne ndajmë të njëjta shqetësime dhe angazhime. Besoj se do të jetë një program në funksion të reformave, që kërkon BE nga Shqipëria.

Cilat janë prioritetet e LSI në një qeverisje me PD?

Prioritetet tona kanë të bëjnë më një qeverisje të qëndrueshme e reformatore, e cila çon përpara me vendosmëri dhe me efikasitet axhendën integruese të vendit tonë. Një prioritet i veçantë yni është rritja e punësimit nëpërmjet politikave zhvilluese dhe stimuluese financiare.

Gjuha tjetër e Metës

Tema

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, jo më kot ka zgjedhur që të intervistohet nga mediet e huaja që kanë shërbime në shqip. Me pyetje që nuk synojnë të prekin asgjë nga e vërteta e marrëveshjes së tij me Berishën, ai ndjehet shumë komod dhe lëshon deklarata sikur të ishte drejtuesi i një partie evropiane-perëndimore që po bën aleancë me një qeverisje si të vendeve nordike, që ka pasur disa defekte të vogla, por që mund të korrigjohen në të ardhmen.

“Vendi është në krizë, për shkak të keqqeverisjes së Berishës. Papunësia është rritur, varfëria është rritur. Ndërkohë qeveritarët janë zhytur në korrupsion. Kjo do të mbahet mend si qeveria e Gërdecit dhe e skandaleve”, - thoshte që në nisje të saj manifesti i LSI për këtë fushatë zgjedhore. Askush nuk e pyet zotin Meta se si mund të korrigjohet një qeverisje që ka merituar këtë lumë vlerësimesh negative.

Askush nuk e pyet atë se, a mund të besohet kryeministri, Sali Berisha, që i quan të gjitha qëndrimet e tij, të cilave u del kundër, si limonada elektorale.

Askush nuk e pyet se, a do të jetë ai pjesë e një qeverie me arkitektin e Gërdecit, Fatmir Mediun.

Askush nuk e pyet atë se, si mund të qeverisë me një njeri që më 29 qershor mori vulën si njeriu që bëri zgjedhje pa standarde në një vend anëtar të NATO-s.

Askush nuk e pyet Metën se si do qeverisë me një njeri që ka kërcënuar në Kuvend një deputet të opozitës, që ka deklaruar se do i hapë kafkën një deputeti që tani e ka në gjirin e tij, që shan me nënë e motër këdo që i del kundër, që nuk përfill as gjykatë e as prokurori.

Por ajo që është interesante tani, është se gjuha e Metës ka ndryshuar e gjitha. Ai nuk flet më për manipulime elektorale, sepse po flirton me një qeveri që mban përgjegjësinë numër një për këtë proces zgjedhor të vulosur për keq.

Madje ka harruar dosjen e tij të abuzimeve.

Meta ka harruar dhe shtresat në nevojë që pretendonte se i përfaqësonte, kur ishte në opozitë. Jo më larg se dje minatorët kundërshtuan ashpër një vendim të qeverise për uljen e moshës së pensionit me pesë vite. Zyrtarët e LSI që dalin në konferenca shtypi për çdo gjë që ndodh në këtë vend, u harruan.

Meta duhet të sqarojë minatorët, por jo vetëm ata, por dhe të moshuarit, veteranët e të tjera kategori, për të cilat klithte se kishte përgatitur projektligje në kohën kur ishte në opozitë, se çfarë ka ndryshuar tani që Berisha do i pranojë këto projektligje, kur para disa kohësh ia shpërfillte në mënyrë të turpshme.

Meta duhet të sqarojë se pse qenka bërë më i mirë njeriu që i linte minatorët të shuheshin një e nga një në miniera, e të flijoheshin në protesta.

Meta duhet të sqarojë të verbrit se çfarë ka ndryshuar te njeriu që lejon dhunimin e tyre te dera e selisë së tij.

Meta duhet të sqarojë mediet se çfarë ka ndryshuar te njeriu që në vitin 2009 i dhunon ato hapur.

Mbi të gjitha Meta duhet të na sqarojë se pse nuk i paska vënë kusht kryesor Berishës luftën ndaj korrupsionit, ashtu siç deklaron në këtë intervistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›