Paqartësi vrastare!Nga Alban TartariEnde në gishtin e madh të dorës time të majtë qëndron boja që zonja e nderuar e komisionit të qendrës time të votimit më kallangjisi (ndoshta iu duka i dyshimtë dhe mund të votoja më shumë se një herë). Megjithëse
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Paqartësi vrastare!Nga Alban TartariEnde në gishtin e madh të dorës time të majtë qëndron boja që zonja e nderuar e komisionit të qendrës time të votimit më kallangjisi (ndoshta iu duka i dyshimtë dhe mund të votoja më shumë se një herë). Megjithëse ajo bojë nuk ka ikur, bëj hesapet e del që zgjedhjet janë zhvilluar këtu e 12 ditë më parë (sot është e enjte, 9 korrik).
Të vjen të plasësh, kur sheh që procesi ende nuk ka përfunduar. Një vend anëtar i NATO-s po zvarrit pafund rezultatin përfundimtar, thua se ky vend numëron 1.3 miliardë banorë, si Kina... dhe jo vetëm 4.2 milionë banorë, nga të cilët 2.8 kanë të drejtë vote dhe nga të cilët kanë votuar vetëm 1.4 milionë zgjedhës.
Nëse palët në proces, dhe “mbipala”, pra KQZ, duan ta shkatërrojnë këtë proces, le të vazhdojnë përgjatë gjithë verës duke diskutuar për 1 kuti, për 2 fletë votimi, për 3 procesverbale, për 4 komisionarë e për 5 dreqër e 6 të bij! Është thjesht qesharake. Procesi s’duhej të zgjaste më shumë se 1 javë. Pas një jave ankimimet kalonin në Kolegjin Zgjedhor dhe Kolegji brenda 2 javësh mund të mbyllte gjithçka (nëse palët kanë ankesa).
Kjo s’ka të bëjë me fitimtarin apo humbësin e zgjedhjeve. Kjo ka të bëjë me fitimtarin apo humbësin e gjithë procesit, dhe humbëse është Shqipëria. Është joserioze dhe e papranueshme që të vijohet në këtë mënyrë. Jam i sigurt që ambasadorët e vendeve të NATO-s në Tiranë përcjellin përditë lajme e raporte në ministritë e tyre të jashtme. Zoti Lohan përcjell në Bruksel atë që po luhet... mjaft të hapni Facebook-un dhe do lexoni me qindra-mijëra shqiptarë që po thonë: Mjaft më, na lodhët me këto zgjedhje e çzgjedhje!
Zgjatja e këtij procesi nuk është normale. Është jashtë standardit të NATO-s. Mbetet e papranueshme për BE. Është një model i keq për Kosovën. Është mos-respekt ndaj qytetarëve të këtij vendi. Ndaj palët, të gjitha pa përjashtim, tej interesit të tyre duhet të shohin interesin e vendit.
Ky proces duhet të përmbyllet një orë e më parë. Njerëzit e këtij vendi duhet të mësojnë se për kë kanë votuar. Pastaj të gjithë t’i kthehen punës apo pushimeve. Kjo është demokracia, çdo gjë të bëhet në kohën e saj. Zvarritjet dhe debatet e gjata e të tepruara vetëm e nxijnë edhe më shumë këtë proces në tërësi.
Politikanët sërish do drejtojnë gishtin nga njëri-tjetri, faji mbetet jetim, dhe e pëson populli!
Përse? Sepse ne ende nuk po lëvizim dot si njerëz nëpër botë. Sepse e drejta e emigrantëve, në vendet ku punojnë, shkelet me të dyja këmbët. Sepse betonizimi po pushton qytetet, a thua se gjelbërimi dhe parqet janë një kancer. Sepse infrastruktura e turizmit është si mos më keq. Sepse bujqësia shqiptare është e asfiksuar nga importi. Sepse zhvillimi pa kriter i zonave të banuara thjesht sjell kriza, ekonomike dhe sociale.
Por kjo politikë po i drogon përditë njerëzit me markën më të ndyrë të drogës me të njëjtin emër, “politikë”, për t’u larguar vëmendjen nga problemet që ata kanë. Dhe ne, njerëzit, duhet ta kuptojmë këtë dhe t’i japim fund. Përveç injorimit në votime (përqindja mbetet sërish shumë e ulët), mbetet të injorojmë edhe mediet që janë tregtuesit më të mëdhenj të kësaj “droge”.
Jemi ende në kohë që ky proces zgjedhor të mbyllet pa u kthyer në një telenovelë bajate braziliane.
Marrë nga gazetastart.com