E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë nuk dini për Majkëll XheksonNga TemaMajkëll Xhekson ka qenë dy herë kandidat për çmimin Nobel për paqe. Për shkak të dhurimeve të tij e angazhimit për fëmijët e adoleshentët, në vitin 1992 dhe në vitin 2003 ai ishte pranë fitores së këtij çmimi

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Çfarë nuk dini për Majkëll XheksonNga Tema

Majkëll Xhekson ka qenë dy herë kandidat për çmimin Nobel për paqe. Për shkak të dhurimeve të tij e angazhimit për fëmijët e adoleshentët, në vitin 1992 dhe në vitin 2003 ai ishte pranë fitores së këtij çmimi. Komisioni i këtij çmimi megjithatë e ka vlerësuar thjesht si një kuriozitet rastin e tij.

Kur Majkëll Xhekson shpalli në mars se do rikthehej me një turne koncertesh në Londër, kërkesa për bileta ishte e jashtëzakonshme. Për 50 koncertet e planifikuara ai shiti 11 bileta për sekondë. Duket tragjike thënia e këngëtarit për turneun e koncerteve të quajtur “Kjo ishte” se “Këto do jenë shfaqjet e fundit të miat. Kjo ishte. Kur e them këtë, e kam seriozisht.”

Por edhe kohë më parë Majkëll kishte zhvilluar një turne në Londër: në verën e vitit 1988 ai mbajti shtatë koncerte në stadiumin Wembley, të cilat u vizituan nga 504 mijë fansa. Ai ishte turneu më i suksesshëm i zhvilluar ndonjëherë.

Gjatë turneut të tij “Bad” nga viti 1987 deri në vitin 1989 ai zhvilloi 120 koncerte në katër kontinente. Për këtë ai u pagua mjaft mirë: vetëm për shfaqjet e tij ai arriti të grumbullojë 125 milionë dollarë.

44 nga 50 vite të jetës së tij Majkëll i kaloi në skenë: që kur ishte pesë vjeç ai së bashku me vëllezërit e motrat luanin muzikë në baret e qytetit të lindjes, Indiana. Në vitin 1968 ai tronditi publikun me grupin Jackson Five në të famshmin Apollo Club në Harlem.

Babai i Majkëll Xhekson, Joe, me profesion drejtues vinçi, e rrihte atë me rripin e mesit. “Nuk kam patur kurrë një fëmijëri. Nuk kishte Krishtlindje te ne, asnjë festë”, - ka thënë dikur Mbreti i Popit.

I fiksuar shumë kundër plakjes, Majkëll dëshironte të jetonte 150 vjet prandaj ai flinte në një dhomë hiperbarike. Ai vetë kishte deklaruar se flinte në një dhomë të tillë, për shkak të plagëve që kishte marrë gjatë xhirimit të një spoti për kompaninë Pepsi.

Gjatë xhirimeve të klipit të tij “You Are Not Alone” në vitin 1995, Majkëll u shfaq për herë të parë nudo me të shoqen, Lisa Maria Presley. Ky singëll u ngjit për herë të parë në historinë e muzikës në vendin e parë të US Charts. Gjithashtu ky hit ishte i fundit i Majkëll Xhekson që arrinte këtë pozicion në SHBA.

Kur Majkëll Xhekson dhe Lisa Maria Presley u martuan në vitin 1994, ata njiheshin prej shumë vitesh, në vitin 1974, Elvis Presley e kishte dërguar vajzën e tij të vogël në një nga koncertet e Jackson 5 në Las Vages. Ajo i kishte takuar ata pas koncertit. Martesa e tij me vajzën e The King nuk zgjati më shumë se dy vite.

I fiksuar pas trupit Majkëll Xhekson ka bërë që nga fundi i viteve ’70 më shumë se 40 operacione, për hundën, për buzët, për lëkurën, për flokët dhe për hormonet femërore që do i pengonin rritjen e mjekrës dhe për zërin e tij të lartë.

Prej vitesh Xhekson mbante një maskë goje në publik- me sa duket nga frika prej sëmundjeve ose dhe nga fotografët me teleobjektivë. Ai vetë ka deklaruar se e mbante atë për të mbrojtur lëkurën nga rrezet e diellit.

Të famshmen dorashkë të bardhë Majkëll ka filluar që ta mbajë që në vitin 1983 gjatë një koncerti. Ajo më pas u bë një aksesor i pandarë i tij, që e mbante dhe kur nuk ishte në skenë. I pyetur se pse e bënte këtë gjë, ai deklaroi: “Mendoj se kështu nuk më duket kurrë vetja si jashtë skenës.”

CD, koncerte, artikuj për fansat, video dhe reklama: në moshën 32-vjeçare Mbreti i Popit fitonte një milion dollarë në javë. Gjithsej muzikanti ka fituar më shumë se një miliard dollarë. “I kam xhepat me aq shumë lekë, sa po më bien pantallonat”, - pati deklaruar dikur këngëtari.

Nga të ardhurat e fituara nga albumi “Dangerous”, Majkëll shpenzoi rreth 100 milionë dollarë për bamirësi.

Në fund të karrierës së tij, ai ishte i zhytur në borxh për shkak të jetës ekstravagante që bënte. Sipas “Wall Street Journal”, këngëtari amerikan kishte më shumë se 500 milionë dollarë borxhe.

Në vitin 1985 Majkëll adoptoi një shimpanze me emrin Bubbles, e cila përdorej për kërkime shkencore kundër kancerit. Deri së fundmi Majkëll i ka paguar asaj ushqimin.

Kur në fund të viteve ’80 Majkëll përdori për herë të parë një lëvizje koreografike, ku kapte organet gjenitale, ngjarja u cilësua si një skandal. Më pas ajo u bë shenjë dalluese e Majkëll.

Në vitin 2005, kur po dilte për herë të dytë në gjyq për abuzime më fëmijët, ai mbërriti në sallë me pizhame dhe me vonesë. Avokatët e tij thanë se ai ishte rrëzuar dhe kishte ardhur nga spitali.

Ai ka bërë videon më të shitur në botë. Bëhet fjalë për spotin 14- minutash “Thriller”, e realizuar nga regjisori i Hollivudit, John Landis në vitin 1983 për më shumë se tre milionë dollarë. Ajo u shit si videokasetë më shumë se 750 mijë herë dhe solli një fitim prej 20 milionë dollarësh.

Sheryl Crow prej shumë kohësh ishte zëri në sfond i Majkëll Xhekson, derisa arriti të bëhej dhe vetë një yll.

Pas më shumë se 14 vitesh bojkot ndaj televizionit, Majkëll Xhekson u shfaq në vitin 1993: intervista me Oprah Winfrey u transmetua në gjithë botën, vetëm në Shtetet e Bashkuara ajo u ndoq nga mbi 90 milionë shikues dhe u rendit në vendin e katërt të gjithë programeve talk show më të ndjekura në historinë televizive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deri në martesën me Liza Presley, Majkëll ishte i rrethuar, jo vetëm nga modele, por dhe nga aktore dhe këngëtare të vërteta si Liza Minelli, Diana Ross apo dhe Sophia Loren. Me miken e tij Liz Taylor ai kishte përgatitur dhe një kontratë martesore dhe kishte përgatitur një altar.

Në fillim të viteve ‘80 ai nënshkroi kontratën më të shtrenjtë të reklamave me kompaninë Pepsi për rreth 15 milionë dollarë. Gjatë xhirimeve ai u plagos duke pësuar djegie të rënda dhe për këtë mori dhe 1.5 milionë dollarë dëmshpërblim.

Edhe pse bëri reklamën për Pepsi Cola, ai pinte gjithmonë ujë mineral.

Majkëll Xhekson themeloi në vitin 1992 një fondacion të quajtur “Heal the Worls”, por në vitin 2002 ai nuk ekzistonte më për shkak të problemeve me bilancet.

Të ecësh njëkohësisht dhe para dhe mbrapa. Moonwalk ishte kërcimi tipik i Majkëll Xhekson. Ai e mësoi atë nga një pantonim francez, Marcel Marceau.

Këngën “Billie Jean”, Majkëll Xhekson e shkroi në vitin 1983, e nxitur nga një fanse e tij që e persekutonte. Ajo deklaronte se Majkëll kishte një fëmijë me të.

Gjatë karrierës së tij muzikore Majkëll Xhekson arriti të fitojë çdo çmim muzikor që ka kjo industri. Madje disa çmime kanë marrë dhe emrin e tij.

Me daljen e tij në pushimin e ndeshjes finale SuperBowl në vitin 1993, Majkëll arriti të entuziazmojë më shumë se 135 milionë shikues. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit, kur numri i shikuesve ishte më i lartë gjatë pushimit të ndeshjes sesa gjatë saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›