E Shtunë, 31 Tetor 2026

Era e majtë në Evropë dhe Presidenti, afrojnë të majtët në Tiranë

Ilir Meta - Edi Rama

Ka përfunduar takimi mes kryetarit të opozitës dhe kreut të partisë së majtë, e cila është pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës. Edi Rama dhe Ilir Meta në përfundim të takimit kanë dhënë prononcime të shkurta pa treguar asnjë detaj rreth bisedës së tyre.

Rama, i cili pak ditë më parë u dërgoi një letër të hapur të gjithë kryetarëve të partive parlamentare lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, u shpreh se vendi ka nevojë për një president që është garant i kushtetutës.

Takimi ishte rreth kuadrit të nismës për të eksploruar mundësitë e një procesi të dakordësuar në funksion të zgjedhjes së presidentit të Republikës, që të jetë mishërim i unitetit kombëtar dhe jo një noter partiak”, u shpreh Rama. Shqipërisë i duhet sot një president që të garantojë kalimin e kësaj prove të rëndësishme për marrjen e statusit”.

Nga ana tjetër, Meta kujtoi se në lojë nuk është vetëm çështje e zgjedhjes së presidentit të ri por edhe reformat, duke vënë theksin tek ajo zgjedhore.

Bëj thirrje për thellimin e dialogut mes forcave parlamentare me qëllim themelor përmbushjen e disa objektivave imediate, të parashtruara nga zoti Fyle në vizitën e tij në Tiranë, tha Meta. Këto elemente të rëndësishëm duhen përmbyllur përpara se të nisë procedura për zgjedhjen e presidentit.

Kreu socialist bëri me dije se nesër do të takohet me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe parashikohet që brenda javës të takohet dhe me kreun e mazhorancës, Sali Berisha.

Takimi Rama-Meta është i pari pas prishjes së marrëdhënieve para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Në takim Meta shoqërohej nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ndërsa Rama nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Takimi i sotëm erdhi pas një takimi privat që Rama dhe Meta kanë zhvilluar katër ditë më parë.

Brenda dy javëve në parlament pritet të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri pasi mandati i Bamir Topit përfundon me 24 korrik. Kushtetuta parashikon që në tre raundet e para, presidenti zgjidhet me 84 vota, çka nënkupton një president konsensual të zgjedhur me votat e PD-së dhe PS-së, pasi vetëm bashkimi i tyre mund të arrijë numrin e nevojshëm.

PS ka shprehur qëndrimin se duhet ndjekur një procedurë transparente pasi sipas saj nga ky proces varet fati i statusit kandidat për në BE. Ndërsa qëndrimi i PD-së është se ajo do të ketë kandidatin e saj për presiden, por ka nënvizuar se mbetet e hapur për të negociuar me opozitës. /G.N / F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›