E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eranda Libohova - “Dua të martohem, pres njeriun e duhur”

 Sonila MerolliTeksa përshëndet nga larg me dorë, një palë syze të mëdha ia fshehin sytë e qeshur, por maskimi i saj pikë e presje sipas modës, nuk i shpëton vështrimit kurioz të kalimtarëve. Shikimet që e ndjekin në çdo hap nuk e shqetësojnë aspak, përkundrazi. Prej vitesh Eranda Libohova ka pranuar faktin se në realitetin e përditshëm, personazhet publike shkrihen një me turmat. Ashtu e thjeshtë, me një buzëqeshje që i rrëzëllen fytyrën, teksa gjerb kafenë, herë pas here përhumbet brenda koracës së saj, si për t’i fshehur të vërtetat e pathëna në skutat më të thella të qenies së saj, aty ku ndihet e sigurt. Por kjo zgjat vetëm për pak çaste. E kthen karrigen në drejtim të diellit, për të shijuar rrezet e ngrohta që i përkëdhelin fytyrën dhe pasi merr frymë lehtësisht si për të dhënë aprovimin, është e gatshme të shuajë kërshëritë. Sapo ka lançuar nëpër stacionet muzikore, videoklipin e saj të radhës në një zhanër që pak herë është prezantuar, siç është pop-rock-u. Këngëtarja e “baladave” e ka thyer heshtjen e gjatë, duke u prezantuar me një imazh krejtësisht të ri “alla adoleshente”, në krijimin që mban titullin “Modeli më i mirë”, një tekst i shkruar apostafat për atë çka vetë ajo përfaqëson në muzikë. Para se të futet në hollësi për këtë çështje, nuk harron të përmendë arsyen përse “tradhtoi” baladat si dhe bashkëpunimin e frytshëm, tashmë që kënga është pjekur. “Duke dëgjuar djemtë e grupit “Burn”, e kisha të qartë vijën melodike, madje ishte pikërisht çfarë kërkoja unë. Një këngë pop-rock, që i shkon fiks stinës ku gjendemi. Ata më propozuan dy materiale dhe pasi zgjodha, tekstin dhe orkestrimin e realizoi Geri, apo siç njihet Big Busta. Meqë bashkëpunimi i parë me të rezultoi i suksesshëm, vendosa t’i lë rrugë një të dyti dhe nuk më doli keq”, shprehet Eranda. Në fakt, nuk e ka pasur të vështirë të futet në petkun e një vajze të re, e cila kërkon modelin ideal që duhet ndjekur. Për të ky rol nuk ishte asesi “zonë e ndaluar”, si nga pamja që ngjall admirim, ashtu edhe nga mesazhet që i përligj më së mirë vetë karriera e saj muzikore. E ngacmuar nga fjalët e këngës e ka të pamundur t’i shpëtojë kujtimeve të hershme, në vitet e gjimnazit, kur ajo përzgjidhte modelet e kohës. “Kam pasur një fletore ku shkruaja tekstet e këngëve të tri vendeve të para të Festivalit të fundvitit, të cilat botoheshin pas përfundimit të tij në gazetën e përjavshme “Drita”. Pasi i mësoja përmendësh, i këndoja gjatë gjithë ditës nëpër shtëpi. E gjithë kjo që po ju them tregon se edhe unë jam rritur me modele si Liljana Kondakciu, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Lindita Theodhori etj”. Pikërisht për këtë arsye vendosi t’i jepte një “grusht” fame Big Bustës, pasi edhe asaj vetë, që tanimë ka arritur majat e popullaritetit, dikur, dikush i dha dorën për t’u prezantuar. Sigurisht që në rastin e brunes së ndrojtur të festivaleve, ndihma erdhi nga brenda familjes, duke pasur fatin e mirë që ishte motra e Irma Libohovën, e cila asokohe kishte arritur të afirmohej në skenën e festivalit. Duke qenë se historia përsërit vetveten, edhe e vogla e motrave Libohova ndoqi të njëjtat gjurmë. “Ekziston gjithnjë dikush që të jep dorën për t’u afirmuar pasi gjërat janë zinxhir. Dikur mua ma dha stafetën motra ime, dhe unë po bëj të njëjtën gjë. Por për të qenë një artist i kërkuar dhe i dashur nga publiku, fillimisht duhet të jesh njeri i mirë. Dhe Geri është një djalë i mirë”, shpjegon ajo. Stafeta për të cilën flet nuk ka kurrfarë lidhjeje me dorëheqjen nga muzika, pasi statusin e këngëtares, Eranda nuk ka ndërmend ta dorëzojë edhe për shumë vite. Edhe fabula e këngës shpërfaq modelin e Erandës, me të cilin janë rritur breza me radhë. Një fakt i tillë nuk mund mos t’i përkëdhelë sedrën kësaj të fundit... Dashuria Në planin personal ajo tregohet hermetike. Nuk e mohon faktin se është e lumtur, por sa për detaje mbi historinë e saj të dashurisë, as pohon e as mohon, duke u mjaftuar me fjalët “Ndjehem mirë”. Ama kur të vijë momenti i duhur do të jetë e para që do përhapë lajmin e shumëpritur. Sa për hapin e madh, martesën, ajo thotë se nuk do të mund ta mbante të fshehtë edhe po të donte, por nga ky kamp, lajmet janë të vakëta. Nga ana tjetër, Eranda shprehet se dëshira për t’u martuar nuk i ka ikur kurrsesi, përkundrazi, por më tepër sesa një ceremoni dasme, ajo çka vërtet ka rëndësi për të është marrëdhënia në çift dhe mbi të gjitha njeriu i duhur. “Kohët e fundit ka filluar të bëhet një çështje e sikletshme, pasi ma kërkojnë me ngulm ngado. Të gjithë mezi presin, të më martojnë. Në këto momente më kujtohet një batutë që ma thotë një kushërirë e mamit: “Eranda hidhu!” dhe unë që filloj të hidhem, e kërcej...”.  Në fakt urimet për martesë i ka marrë paraprakisht, qyshkur ishte kumbara e sfilatës së fustaneve të nusërisë së “Geraldina Sposa-s”, më pas në Pallatin e Kongreseve, në klipin ku u shfaq si nuse... “Pas lajmit në shtyp, telefoni nuk pushonte së rëni dhe të gjithë pyesnin: “U martua dhe nuk na ftoi!?”. Kishte dhe nga ata që kishin rënë pre e titujve bombastikë. Sakaq, në zgjedhjen bashkëjetesë apo martesë, ajo i ka idetë e qarta, pasi vetë familja e ka brumosur me tradita. “Mua vetë më tërheqin traditat që kemi”, thotë ajo. Për më tepër, në këndvështrimin e saj, bashkëjetesa mund të “zgjidhet” edhe prej një zënke banale, apo një hatërmbetje, ndërsa martesën e sheh si një impenjim të madh nga të dy palët, një sfidë. Ndërkohë, jetesën në një shtëpi me prindërit e saj e quan si privilegj, duke ruajtur ende statusin e së përkëdhelurës së prindërve. është teze me kohë të plotë, madje edhe para takimit, kafja e parë është me mbesën e saj. “Unë jam këshilluesja për veshjet. I kam si shoqe, por kur vjen puna te konfindencat apo rrëfimi i historive të dashurisë, kam pasur një kuriozitet të kontrolluar. Nuk e kemi atë marrëdhënie, që jap mend apo t’i rrëfej detajet e mia private”, na tregon duke shtuar mungesat e saj si hallë, pasi dy vëllezërit e saj jetojnë jashtë Shqipërisë.Lumturisht drejt të dyzetavePara disa muajsh Eranda ka lënë prapa katër dekada. Lumturisht drejt të dyzetave edhe pse kushdo që e ka përballë është i bindur se mund të ishte mirëfilli sa gjysma e viteve. Më 11 shtator Eranda mbushi 40 vjeç, që siç thonë nis një jetë e re, por në rastin e saj, ora ka ngelur në vend dhe jeta vijon pa shkëputje me atë para 20 viteve. I vetmi ndryshim është se me kalimin e viteve ajo është bërë më e ndjeshme si në reagimet personale, përjetimet e momentit, në atë çka dëgjon përreth. “Kam ndryshuar për mirë, jam më e pjekur, më pak indiferente, çdo gjë më prek ndaj familjes, miqve dhe kujtdo. Nuk bëj dot krahasime si kam qenë, di që jam ndryshe. Ndërsa për vetëpërmbajtjen, impulset i kam pasur nën kontroll, ndoshta edhe më shumë seç duhet”. Ndryshe nga sa mund ta imagjinojë gjithkush, në vend të një feste me fishekzjarrë, ajo preferoi të fshihej në plazhin e Dhërmiut me një rreth të ngushtë miqsh dhe familjarësh. Arsyeja: I kishin thënë se 40 vjetori nuk festohet, pasi sjell “tersllëk” dhe ajo iu përshtat profecive supersticioze, duke u mjaftuar me një darkë buzë detit.Risitë muzikore Pati një periudhë shkëputjeje ndaj klipeve të reja, por jo nga projektet e saj muzikore, as nga skena. Përgjatë gjithë verës këngëtarja ka qenë te “Maratona e këngës popullore”, një angazhim që i zuri gjithë muajt e nxehtë. Mungesën e klipeve e shpjegon me faktin se çdo këngë ka fazën e saj të pjekjes, për më tepër nuk i pëlqen që të sjellë “shumë e për lumë”, megjithatë pranon se një klip në vit duhet patjetër, por më shumë se kaq është harxhim kohe, lekësh dhe rrezik dështimi. Këtë vit i ka vënë detyrë vetes të realizojë një klip tjetër, përshtatur për temperaturat e larta të verës si dhe një baladë. Me gjithë eksperimentet e vazhdueshme në disa rryma muzikore ajo pohon se baladat vijojnë të mbeten të preferuarat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›