Fitojnë Partizani dhe Bylis, humbet Lushnja
Leonard KarajPartizani fiton për herë të parë në transfertë, Bylis vazhdon galopimin drejt Superligës, ndërsa Ada e Velipojës mund Lushnjën e Artan Banos.Fitore të çmuar ka arritur Partizani në Librazhd. Një ndeshje që edhe mund të shtyhej, për shkak të terrenit të rënduar, por që në fund, përfaqësuesit e të dyja klubeve, por edhe të FSHF-së vendosën që takimi të luhej. Dhe ka triumfuar Partizani, me gola të Mahos dhe Shetës, të cilët “përkthehen” në 3 pikë të arta për Të kuqtë e drejtuar nga Skerdi Bejzade. Kjo ka qenë fitorja e parë që Partizani ka marrë në transfertë për këtë sezon. Gjithsesi ekipi është ende 8 pikë larg nga vendi i katërt, i cili të jep mundësi të luash ndeshje play-off për tu ngjitur në kategorinë Superiore. Fitore të pastër dhe pa shumë mundime ka arritur edhe Bylisi në shtëpi, ndaj Burrelit, duke marshuar i qetë në krye të renditjes, madje duke e thelluar javë pas jave diferencën. Dy gola të sulmuesit Romeo Hamzai (20', 33') si dhe një i Gegës (70') sigluan fitoren e 14 të ballshiotëve këtë sezon në Kategorinë e Parë. Lushnja është ndalur në Velipojë, ku ka humbur 1-0. Ada vendase, edhe pse me një gol, ka dominuar ndeshjen, e ka fituar atë dhe me të drejtë ruan pozitat e saj pretenduese, të paktën për t’u bërë pjesë e “play-off”-it në fund të kampionatit, për të luajtur shanset e saj, për t’u ngjitur në Superligë. Për tu theksuar ka qenë edhe fakti se vendasit humbën edhe një penallti në pjesën e dytë (Shytani gjuajti, topi kaloi mbi traun e portës). Me këtë rezultat velipojakët i janë afruar ndjeshëm, me vetëm një pikë diferencë, dyshes Lushnja-Elbasani, të cilat renditen respektivisht në vendin e 2 dhe 3-të. Fitorja e Adës ndez edhe më shumë sfidën e sotme Kamza-Pogradeci, skuadra këto që tashmë gjenden 3 dhe 4 pikë prapa në renditje. Në sfidën tjetër të ditës së djeshme Besëlidhja dhe Gramshi kanë ndarë nga një pikë, duke fiksuar rezultatin 1-1. Të parët ishin vendasit që kaluan në avantazh me anë të Tomës (45’) ndërsa në minutën e 85-të ishte Bodurri që barazoi. Ndërkaq veç Kamza-Pogradeci sot do të luhet edhe sfida Luftëtari-Memaliaj, ku gjirokastritët, në dukje, janë më të favorizuar.