"Erdha se më ka pëlqyer puna e FSHF-së"
Mishel Platini ka mbërritur dje në kryeqytetin shqiptar, për herë të parë me statusin e presidentit të UEFA-s. Bashkë me delegacionin e organizmit më të lartë të futbollit europian, Platini zbriti në aeroportin "Nënë Tereza" pak minuta më vonë nga ç'parashikohej, i pritur aty nga drejtuesit më të lartë të FSHF-së, me në krye presidentin Armand Duka. Kjo vizitë zyrtare e Platinisë, e parashikuar muaj më parë, konfirmoi mbështetjen e UEFA-s për futbollin shqiptar, e natyrisht projekteve që ka ky institucion për të ardhmen. Këto i shprehu vetë Platini, i cili menjëherë pas mbërritjes në Rinas, nuk ngurroi të fliste për mediat, natyrisht duke konfirmuar marrëdhënien e mirë me FSHF-në, si anëtare e UEFA-s. Duke qenë se kjo vizitë e tij është më e veçantë nga të kaluarat, ku ka pasur një status tjetër, Platini fillimisht u shpreh: "Rikthehem në Shqipëri për herë të parë si një president i UEFA-s. Kjo është një vizitë protokollare, ashtu siç kam bërë edhe me shtetet e tjera. Përveç takimit me kreun e FSHF-së, do të takohem edhe me Ministrin e Sporteve, gjithashtu Presidentin e Republikës." Më pas, Platini bëri të ditur edhe arsyen kryesore se pse ka ardhur në Shqipëri në këtë moment. Mësohet se kreu i UEFA-s ka dashur të vizitojë vendin tonë edhe në periudhën më të errët të futbollit shqiptar, kur u përjashtua nga aktivitetet e UEFA-s dhe FIFA-s. Ndër të tjera, Platini konfirmoi punën e mirë të FSHF-së, me në krye presidentin Duka. "Me kënaqësi mund të them se gjërat në Federatën Shqiptare të Futbollit janë përmirësuar dhe me presidentin Armand Duka po shkojmë shumë mirë. Mund të them se më kanë pëlqyer punët që deri më tani ka bërë FSHF. Eshtë kjo arsyeja pse unë bashkë me delegacionin e UEFA-s kam ardhur në Shqipëri, për t'i parë gjërat më nga afër. Nëse nuk do të më pëlqente puna e FSHF-së, me siguri që nuk do të isha kthyer në Shqipëri. E di që ka pasur një konflikt mes FSHF-së dhe Ministrisë së Sporteve, por tashmë kjo nuk ekziston. Për këtë, më vjen shumë mirë, edhe për faktin që do të jem këtu, edhe për disa gjëra të tjera, si përurimin e fushës së Durrësit,"- ka thënë Platini menjëherë pas mbërritjes në Tiranë.
Federata, pritje të veçantë Platinisë
Pasi u sistemua në hotel "Rogner", bashkë me delegacionin e UEFA-s, Mishel Platini respektoi institucionin e futbollit shqiptar, aty ku i ishte rezervuar një pritje mjaft e veçantë. Ambienti i FSHF-së thuajse kishte ndryshuar pamje, pasi ishte bërë një institucion edhe më modern, kjo falë ndryshimeve që ishin bërë këto ditë me rastin e vizitës së Platinisë.Zyrtarët e federatës, të veshur me kostume, bashkë me anëtarët e komitetit ekzekutiv, presin nga çasti në çast ardhjen e kreut të FIFA-s. Pasi del nga makina luksoze në shoqërinë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ish-futbollisti i famshëm, i surprizuar nga njerëzit e shumtë përpara godinës së FSHF-së, i përshëndet të gjithë në gjuhën e tij: "Bonzhur" (Mirëdita). Fillimisht firmos një autograf te një vajzë e vogël me veshje tradicionale. Më pas, i parin që takon, është anëtari i komitetit ekzekutiv, Mehdi Bushati, i cili përshëndetet në frëngjisht me të. Në ambientet e FSHF-së zhvillohet një bisedë miqësore për gati 20 minuta, pa praninë e medias. Ora po ikte shpejt dhe kreut të UEFA-s i duhet të vazhdonte axhendën e tij, ku i duhej të vizitonte Ministrinë e Sporteve, për t'u takuar me ministrin Ylli Pango.
Platini-Pango, shkëmbim dhuratash në ministri
Axhenda e ish-futbollistit të famshëm, tashmë në krye të institucionit të futbollit europian, vazhdon në orarin e drekës me takimin me Ministrin e Sporteve, Ylli Pango. Në oborrin e ministrisë, krahas interesimit shumë të madh të mediave, Platini pritet në hyrje nga drejtoresha e Sporteve në MTKRS, Violeta Shqevi, e cila e shoqëroi në zyrën e ministrit Pango. Edhe pse pak rrëmujë nga prania e madhe e njerëzve, Platini gjen momentin për të bërë pak humor dhe njëkohësisht t'i dhurojë ministrit Pango stemën e UEFA-s, që ngjante si një flamur trekëndësh. Francezi, duke shtrënguar duart me Pangon, me të cilin fliste në gjuhën e tij, i tha: "Le ta bëjmë të pavdekshme këtë moment". Ministri, pasi i bën dhuratë Platinisë një komplet guidash turistike të Shqipërisë, i thotë: "Ju lutem, pranoni edhe pak Shqipëri." Pas fotografimeve dhe filmimeve të çastit, biseda mes delegacionit të UEFA-s, drejtuesve të FSHF-së dhe ministrit vazhdon pa praninë e mediave për rreth 40 minuta.
"Roli im, të ndihmoj brezin e ri shqiptar"
Pas takimit në zyrën e Ministrit të Sporteve, Ylli Pango, Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, foli në një konferencë për shtyp të improvizuar, nisur edhe nga koha e paktë që kishte në dispozicion, kjo për shkak të axhendës së ngjeshur. Para mediave, Platini e nisi fjalën e tij me falënderimet ndaj pritjes së ngrohtë që i bëri ministri Pango dhe natyrisht presidenti e FSHF së, Duka. "I falënderoj për këtë pritje kaq të ngrohtë,"- tha ai, duke vazhduar për atë çka bisedoi me ministrin dhe kreun e federatës."Për mua nuk është hera e parë që vij në Shqipëri, por është hera e parë që unë vij si president i UEFA s. Sot (dje), në takimin me Dukën dhe Pango i bëmë një rezyme të gjithë situatës së futbollit në Shqipëri. Unë nuk kam ardhur këtu për të ndikuar në rolin tim që Shqipëria të fitojë ndeshjet e radhës. Roli im është që të ndihmoj në formimin e brezave të rinj të futbollistëve. Natyrisht që këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ministrinë. Kjo e fundit besoj se e kuptoi se çfarë do të bëjmë ne me futbollin në Shqipëri." Platini ishte i gatshëm për t'iu përgjigjur pyetjeve, por në njërën prej tyre devijoi disi. Ajo kishte të bënte me nenin "e famshëm" 53 të statutit të FSHF së, nëse ishte diskutuar apo jo në takimin me ministrin. "Nuk e kuptoj,"- pohoi Platini duke qeshur, ndërkohë që më pas ndërhyri ministri Pango, i cili sqaroi. "Nuk u diskutua fare për këtë nen. Specialistët janë marrë vesh dhe ai do të kalojë siç kemi rënë dakord. Do të bëjmë edhe disa rregullime të tjera, megjithatë mund t'ju them se kjo është në diskutim në nivel specialistësh."
Projekti në shkolla dhe investimet në terrene
Në fokusin e bisedimeve midis kreut të UEFA-s, Mishel Platini dhe Ministrit të Sporteve, Ylli Pango, ishte një projekt mjaft irëndësishëm, i cili së shpejti do të aplikohet në shkollat shqiptare. Gjatë bisedës, Platini theksoi rëndësinë e përhapjes së sportit nëpër institucionet arsimore, kjo për të dyja gjinitë. Në lidhje me këtë projekt, më parë është organizuar një takim me përfaqësuesen e FIFA s, Eva Paskuer, si dhe ekspertin e fushës nga Federata e Futbollit të Ukrainës, Jevgenij Stolitenko. Ky takim i zhvilluar në muajin korrik është bërë për të njohur modelin ukrainas të sportit në shkollë. Ndërkohë, përveç këtij projekti, në bisedën mes Pangos dhe Platinisë u fol edhe për investimet që do të bëhen në të ardhmen, më konkretisht në 12 terrene. Gjatë konferencës për shtyp, ministri Pango tregoi për bisedën me Platininë. "Kemi folur kryesisht për projektet e UEFA s për të ndihmuar futbollin shqiptar. Eshtë një projekt për të shtuar orët e mësimit në fushën e edukimit fizik dhe në veçanti të futbollit. Pra, për ta hapur më gjerësisht atë. Gjithashtu, është një projekt për 12 fusha futbolli, të cilat do të financohen nga UEFA, duke i kaluar këto fonde përmes Federatës Shqiptare të Futbollit."
Platini për Kosovën: Po respektoj statutin e UEFA-s
Një tjetër çështje që u diskutua në zyrën e ministrit Pango, midis këtij të fundit, presidentit të UEFA-s dhe kreut të FSHF-së ishte e ardhmja e Kosovës, e cila ende nuk është anëtarësuar në familjen e futbollit europian. Vetë kreu i UEFA-s, Mishel Platini, i pyetur në lidhje me qëndrimin e institucionit që ai drejton për Kosovën, u shpreh qartazi: "Kemi folur me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe personalisht ua kam bërë të qartë qëndrimin e UEFA-s. Statuti i UEFA s saktëson se për të qenë anëtari i saj, duhet të jesh më parë anëtar i Kombeve të Bashkuara. Gjithkush mund të ketë idetë e tij, por ne po respektojmë statutin e UEFA s." Për çështjen "Kosova", më tej i pyetur në lidhje me lejimin e kombëtares kosovare për të zhvilluar ndeshje miqësore, ish-futbollisti sqaroi shkurtimisht: "Komiteti ekzekutiv i FIFA s e hodhi poshtë kërkesën."