Shkallët e Harxhit, çmim special në Monpelje
Filmi “Shkallët” i Ilir Harxhit është vlerësuar me çmimi special për filmin me metrazh të shkurtër në edicionin e 30-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kinemasë Mesdhetare, zhvilluar në Monpelje, Francë (25 tetor-2 nëntor). Produksioni shqiptar, i mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike, konkuroi për çmimin “Grand Prix”, çmim që juria e festivalit e përbërë nga aktorja dhe regjisorja Fejria Deliba, producentja Juliette Sol, Philippe Germain dhe regjisori Gjergj Xhuvani, ia akordoi filmit “Wolfly” i regjisorit slloven Matevz Luzar.
Ndërsa çmimi tjetër special dhe i fundit për kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër i shkoi filmit algjerian “Houria” me regji të Mohamed Yargui.
Nëpërmjet skenarit të Artan Minarollit, Harxhi sjell një ngjarje komik dhe dramatike njëherësh me lojën e aktorëve Naun Shundi, Margarita Xhepa, Gentian Zenelaj, Genc Fuga, Ledio Lako, Agnesa Vuthaj. Një biznesmen ndërtimi, që rrëzohet nga ashensori i pallatit që ka ndërtuar vetë, rrezikon jetën. Deri në vdekjen e tij, transporti i trupit të biznesmenit nëpër shkallët e ngushta si të një minareje, bëhen shkak për situata komike edhe në funeralin e të ndjerit.
Megjithëse kanë kaluar 10 ditë nga Festivali i Monpeljes, sot paradite, në orën 10. në Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, pret me ceremonial para medias regjisorin. Dje zyra e shtypit ka njoftuar se ky takim me dyer të hapura para gazetarëve bëhet me rastin e dhënies së çmimit “Grand Prix”.
Siç u tha më lart dhe ashtu si mund të verifikohet fare lehtë në faqen zyrtare të Festivalit, “Shkallët” ka fituar një çmim special. Nga ana tjetër, nuk është fort e qartë përse një ministër Kulture që nuk ka asnjë lidhje me kinemanë si autoritet, me kaq zhurmë pret një regjisor, arritja e të cilit në Monpelje është një vlerësim i radhës, edhe në rangun e aktiviteteve ku marrin pjesë autorë shqiptarë.
Çmimi më i madh që jep Festivali i Monpeljesë është “Antigona e Artë”, dhe që këtë vit iu akordua filmit serbo bosnjak “The Tour” nga Goran Markovic. Ndërsa çmimet speciale për filmin artistik i shkuan “Le Chant des mariées” të Karin Albou (Francë-Tunizi) dhe “Exchange” nga Nicolae Margineanu (Rumani).
Festivali Mesdhetar i Filmit i krijuar në vitin 1979, asaj kohe nën emrin “Takim me Kinemanë mesdhetare” zhvillohej në Ciné-club Jean-Vigo, në Monpelje. Fama që fitoi festivali bëri që qysh në vitin 1989 të zgjerohet në kufijtë e Festivalit Ndërkombëtar të Kinemasë Mesdhetare. Sot njihet si aktiviteti kulturor që promovon një kulturë dhe debat ndërkulturor rreth prodhimeve të kinematografisë së vendeve të Mesdheut, Detit të Zi, Portugalisë, etj.