Fytyrat e politikanëve në rrënojat e Gjirokastrës: Vdis pa të dua
Tragjedia e Gjirokastrës është tragjedia e katërt brenda vitit, mbas asaj të Farkës, Gërdecit katastrofik dhe Butrintit që, të marra së bashku, na kanë rrëmbyer më shumë se 40 jetë njerëzish, krejtësisht të pafajshëm. Katër tronditje të mëdha shpirtërore, emocionale dhe depresionuese. Sa shumë dhe sa të shpeshta në kohë dhe në hapësirë. Karakeristikë dhe veçori dalluese tek ne, ka nisur të bëhet fakti që, sa herë ndodhin tragjedi të rënda, të gjithë me kuç e me maç, politikanë, pushtetarë qendrorë e lokalë, e deri qytetarë të thjeshtë, ndodhen të pranishëm në vendngjarje.
Pjesëmarrja është tjetër gjë dhe zgjidhjet janë tjetër. Nëse nuk nxjerrim mësime dhe nuk depërtohet thellë në analizën e shkaqeve që prodhojnë fatkeqësi e nëse nuk nxjerrim konkluzione e përcaktojmë masa parandaluese, prezenca e cilitdo në këto ngjarje të renda nuk ka kurrfarë vlere.
Sado që të meren poza ngushëllimi e trishtimi ndaj familjarëve të viktimave, ajo që publiku mendon kur i shikon, është: “Këta politikanët tanë thonë vdis pa të dua”.
Tragjedia e radhës ndodhi në sektorin e ndërtimit, por kujtojmë se kemi shumë sektorë të tjerë që favorizojnë premisë për tragjedi të tilla si, trafikimi klandestin në dete e në liqene, tregtimi i karburanteve apo ruajtja e rezervave të tyre, pikat e shitjes së gazit, minierat, sistemi energjitik, trajtimi dhe ciklimi i baterive, parandalimi i zjarreve, aksidentet automobilistike, shpërthimet e municioneve në depot ushtarake, sektori i peshkimit etj..
Ja pra, ndaj gjithë këtyre sektorëve duhen përcaktuar masa e detyra parandaluese. Të mos presim tragjedinë e radhës.