Të kërkojnë zemrën e elektoratit, jo të Berishës e Ramës ...
11 deputetë që futen në grevë urie, nuk është një lajm dosido. Kujtdo mund t’i bëjë përshtypje, pavarësisht se disa nga emrat në listë, nuk i kemi dëgjuar asnjëherë si deputetë, e ndoshta kanë rastin e vetëm për të treguar që janë gjallë.
Ndoshta autorët mendojnë që t’i tërheqin vëmendjen Europës me këtë hap ekstrem. Ndoshta edhe ia tërheqin. Po për mua, ajo që mbetet në fund është shija e keqe dhe vërejtjet e Europës apo Amerikës, tek e fundit më bëjnë të kuptoj edhe njëherë që përpara syve të tyre, të gjithë ne shqiptarët jemi katundarë e të pagdhendur që nuk merremi kurrë vesh njëri-tjetrin.
Sidoqoftë, nuk ju shkruaj për këtë. Ajo për të cilën ju shkruaj, e nderuar redaksi, është shqetësimi im si qytetar, për kuptimin që i është dhënë politikës dhe politikanëve në këtë vend.
Pyetja ime është: Përse askush nga politikanët nuk futet në grevë urie që të dënohen autorët e vrasjes së Gërdecit? Pse askush nuk futet në grevë urie për sistemin arsimor, shërbimin shëndetësor, izolimin e shqiptarëve dhe gardhet në ambasada?
Janë kaq të gatshëm të futen në grevë urie për një vend në komisionet zgjedhore, aty prej ku burojnë votat, postet. Bukur! Unë kam një sugjerim për zotërinjtë. Demokracia që ata predikojnë, ka një karakteristikë: konkurencën. Në vend që t’i kërkojnë gjërat me grevë urie, le të dalin në elektorat dhe të luftojnë aty për të fituar zemrat e shqiptarëve të zhgënjyer. Kështu do të fitojnë përqindjet e duhura dhe nuk do kenë nevojë as për Ramën as për Berishën, për të ardhur në pushtet. I sjell populli vetë. Majë supeve, madje!