E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria: Historia e arkivave filmike për vendin përballë

Një dokumentar i plotë nga gazetari Roland Sejko për “vendin përballë” dhe ngjarjet e tij nga rënia e perandorisë tek rënia e diktaturës komuniste. Prodhim i Institutit Luçe dhe Fox Channels Italia

Për shumë nga italianët e sotëm, Shqipëria ka nisur të ekzistojë prej vitit 1991, kur anijet e para të tejmbushura me shqiptarë nisën të zbarkonin në brigjet italiane.

Po para këtyre ngjarjeve ç’ishte vallë Shqipëria?

Kur kishin hyrë këto dy vende njëri në historinë e tjetrit? Këtyre pyetjeve iu përgjigjet dokumentari “Albania, il paese di fronte” (Shqipëria, vendi përballë i prodhuar nga Istituto Luce dhe Fox Channels Italia me kontribut të Regione Lazio-s. Filmi 95 minutësh shfaqet nesër, 13 nëntor, premierë kombëtare në Casa del Cinema të Romës, në orën 20:30. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e Istituto Luce-s.

“Vendi përballë” është shkruar nga një shqiptar, gazetari Roland Sejko – prej vitesh ka themeluar dhe drejton në Itali gazetën “Bota shqiptare” - i cili është njëherësh edhe regjisor së bashku me montazhierin Mauro Brescia.

Marrëdhëniet Itali-Shqipëri janë një motiv. Në tërësi është një histori me imazhe të rralla nga arkivat filmike italiane dhe shqiptare që tregon me konseguencë për Arbërinë e Skënderbeut deri tek rënia e komunizmit, me ngjarje të mëdha historike në mes që ka kaluar ky vend i vogël buzë Adriatikut: “vendi i shqiponjave” pas rënies së perandorisë otomane, në prag të Luftës së Parë Botërore, nga ngritja dhe rënia e Mbretit Zog tek pushtimi italian, hyrja në epokën e Enver Hoxha dhe shembja e regjimit komunist, përfundimisht në shkurt 1991 kur në Sheshin “Skënderbe” ra monumenti i diktatorit, pak para se të ndodhte eksodi biblik i shqiptarëve drejt Italisë.

Dokumentari – në dvd hidhet këto ditë në qakullim në Itali – paraqet për herë të parë në vendin fqinj imazhe arkivore nga regjimi komunist. Është një paraqitje serioze për audiencën italiane mbi diktaturën dhe “veprat” e saj për 45 vjet despotizëm, marrëdhëniet me ish- Bashkimin Sovjetik dhe Kinën e Mao Ce Dunit, lufta për krijimin e njeriut të ri socialist dhe vendit që ndërton diktaturën e proletariatit i mbështetur në forcat e veta.

Një rol të rëndësishëm tek “Shqipëria, vendi përballë” zënë intervistat e një historiani ekspert si Roberto Morozzo della Rocca apo Antonello Biagini. Surprizë është intervista e ish-presidentit të Republiës Carlo Azeglio Ciampi, i cili rrëfen përvojën si ushtar në Shqipëri gjatë pushtimit italian. Po ashtu edhe intervista e një karikaturisti si Sergio Staino, i cili e njohu nga afër Shqipërinë e viteve ’70 gjatë vizitave me grupet marksiste-leniniste në Shqipëri. Zërat shqiptarë janë të Nevila Nikës, drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit të Shtetit dhe të shkrimtarit Ismail Kadare.

Në premierën e nesërme në Shtëpinë e Kinemasë - Villa Borghese, Romë – do të jenë të pranishëm autorët dhe konsulentët historianë, përsonazhe të botës akademike italiane si dhe personazhe shqiptarë të kulturës dhe spektaklit në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›