Vdekja e një 16-vjeçari që kaloi në heshtje...
Në konviktin e Pedagogjikes në Peshkopi, me datë 29 tetor 2008, vdiq një fëmijë 16 vjeç.
Vdekja e tij kaloi në heshtje të plotë, një heshtje vrastare, sikur dikush apo shumëkush e ndjente veten në faj. Policia po heton për të dalë në përfundimet e argumentuara për shkaqet e vdekjes.
Hamendësimet për shkaqet mund të jenë të shumta, ato do të dalin e publikohen. Por problemi që duhet të ngremë në këtë shkrim ka të bëjë me një fakt skandaloz, çmendurisht skandaloz; lënien e konvikteve pa kujdestarë. Nuk duam të lidhim vdekjen e kësaj fëmije domosdoshmërisht me mungesën e kujdestarëve në konvikte, por të lësh pa kujdestari djem e vajza që vijnë në konvikte nga vende të ndryshme të vendit, qindra kilometra larg shtëpisë, sapo kanë mbushur 14 vjeç, është pak ta quash papërgjegjshmëri
Me një shkresë që mban numrin 5413/13, datë 31.07.2008, të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me lëndë “Pakësim në numrin e punonjësve buxhetorë”, firmosur nga dikush që e mban veten ndër specialistët më të mirë të arsimit, (ndaj dhe punon në ministri) , njoftohen drejtoritë arsimore dh zyrat arsimore të arsimit dhe rrethet se shkurtohet personeli pedagogjik në konvikte, zëvëndësdrejtori dhe kujdestarët.
Para kësaj, Këshilli i Ministrave, me VKM nr.502, datë 16.04.08, kaloi konviktet në administrimin e bashkive, hartoi dhe organikat përkatëse për secilin konvikt, caktoi deri dhe kuzhiniere dhe ndihmëse, bashkë me pjatalarëse e ndihmëse të tyre, por dhe për bashkitë nuk dha në organikë kujdestarë.
Pra nga gushti konviktet sipas shkrese, por dhe sipas VKM-së janë pa kujdestarë.
Pyetjet që lindin natyrshëm janë: Kujt ia ka dorëzuar prindi fëmijën?! Kush do të kujdeset për këta fëmijë që kur vijnë në konvikt, për prind, njohin shtetin?! Kush do të kujdeset për ta kur të sëmuren ditën e natën?! Kush do të kujdeset që të kenë çarçafë të larë, dhoma të rregulluara e të bëjnë një jetë normale?! Qindra pyetje mund të rreshtohen e që duan përgjigje.
Dhe, së fundmi, një pytje të drejtëpërdrejtë për pushtetarët dhe në dijeni të opinionit publik: Që të mos vdesin fëmijë të tjerë, a duhet të fillojë nxjerrja e përgjegjësisë, pikërisht te ajo shkresë dhe te ai vendim i këshillit të Ministrave?!