E Diel, 1 Nëntor 2026

Kacin: Statusi kandidat, mbështetje politike Shqipërisë

25-03-2012 / Gazeta 55

Krahas progres-raportit vjetor, PE do të miratojë edhe një raport të posaçëm për Shqipërinë në muajin tetor

Parlamenti Europian pritet të hartojë dhe miratojë në tetor një raport shtesë për Shqipërinë, përveç progres raportit të Komisionit Europian mbi ecurinë e reformave në vend. Zëvendëskryetar i Delegacionit për Evropën Juglindore, Jelko Kacin u shpreh gjatë një deklarate për shtyp, për mediat shqiptare në Bruksel se është e rëndësishme që grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian të miratojnë një raport dhe diskutim edhe për Shqipërinë, siç kanë vepruar deri tani për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.
Kacin shprehet se raporti që do të miratohet është një mbështetje, por edhe një kritikë pozitive për të përmirësuar imazhin e vendit dhe të ekonomisë.
“Kjo është arsyeja që ne bëjmë çdo vit raport për progresin, për të konfirmuar ato që janë arritur. Në një farë mënyre, për të përcaktuar ato aspekte që duhen përmirësuar në të ardhmen. Pra, nga njëra anë ky raport është një mbështetje, dhe nga ana tjetër ajo është një kritikë pozitive për të përmirësuar imazhin e vendit dhe të ekonomisë. Pikë së pari, për të dinamizuar hapat e ardhshëm të procesit të pranimit. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu dhe Shqipërinë, kanë një perspektivë europiane shumë të qartë. Kjo është arsyeja që unë pres që pas këtij debati, ne do të jemi në një pozitë akoma më të mirë për të marr vendimet e duhura. Ne sapo kemi vendosur se duhet të kemi një raport tjetër për monitorimin që po bëhet në Kroaci. Prandaj për shkak të kësaj unë jam më se i sigurt që dhe Shqipëria do të ketë këtë lloj raporti për këtë vit. Ky është një detyrim”, tha Jelko Kacin, Zëvendëskryetar i Delegacionit për Evropën Juglindore.
Ai theksoi se e sheh me optimizëm procesin e reformave tashmë kur 12 rekomandimet janë në tryezë dhe po plotësohen hap pas hapi.
“Duhet ruajtur ritmi i reformave dhe forcat politike në Shqipëri duhet të sigurojnë që rekomandimet do të zbatohen. Ajo që është thelbësore për mua në javët e ardhshme dhe muajt e ardhshëm është  përfundimi i punës për reformën zgjedhore, duke përfshirë rekomandimet e OSBE/ODHIR, Komisionit të Venecias, në mënyrë që të evitojmë situata si ajo e zgjedhjeve të shkuara, ku të dy palët nuk ishin dakord për procedurat dhe si rrjedhim nuk ishin dakord për rezultatin. Është shumë e rëndësishme që palët të përqendrohen te kjo reformë, në mënyrë që ajo të përfundohet brenda disa javësh, pasi vitin tjetër ju keni zgjedhje të përgjithshme”, tha ai.
Ky raport i ri, dhe në rastin më të mirë së bashku me rezolutën që do e shoqërojë, shihet  edhe si një mbështetje politike për marrjen e statusit të kandidatit këtë vit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›