E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan angazhohet për njohje të reja për Kosovën

Në kuadër të vizitës njëditore zyrtare në Ankara, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është pritur nga homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në takimin e dy kryeministrave, është biseduar për procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe për mbështetjen e Turqisë në rritjen e numrit të njohjeve, për dialogun Kosovë-Serbi, për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e zhvillimit ekonomik, dhe në fushat tjera me interes të përbashkët.

Thaçi, në takimin e sotëm në Ankara, ka marrë mbështetjen e plotë të Kryeministrit Erdogan që Turqia do të vazhdojë të ushtrojë ndikimin tek vendet e saj mike për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës ka prodhuar më shumë stabilitet, paqe, prosperitet dhe integrim dhe në këtë kuadër Qeveria e Republikës së Kosovës do të fuqizojë përkushtimet e saj për thellimin e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka njoftuar homologun e tij turk për procesin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë.

Erdogan i ka dhënë mbështetje të plotë Thaçit dhe Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e këtij dialogu, duke theksuar se “kjo është mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjeve praktike mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në takim është biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e zhvillimit ekonomik. Duke ripotencuar ftesën e Qeverisë së Kosovës për investitorët turq për të investuar në Kosovë, Kryeministri Thaçi ka thënë se “institucionet e Kosovës kanë bërë reforma substanciale në drejtim të krijimit të kushteve të volitshme për investimet ndërkombëtare në Kosovë”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›