Shqiptarët, tendenca në rritje për të përdorur lente kontakti
Nertila Maho
Të jesh ndryshe, pak më e bukur, më praktik, ose thjesht mos paragjykohesh. Këto janë disa nga arsyet se pse sot tendenca, sidomos e femrave, është drejt mbajtjes së lenteve të kontaktit me efekt estetik, apo edhe për efekt të korrigjimit të numrit. Okulistja Rezarta Shkurti flet lidhur me rritjen e numrit të personave që mbajnë lente në Shqipëri, por edhe për kujdesin që duhet të tregohet në aspektin higjenik.
Çfarë janë lentet dhe si ndahen ato?
Lentet e kontaktit janë mjete që përdoren nga njerëz të moshave të ndryshme, për të ndryshuar ngjyrën e syve (ky është efekti i tyre estetik), ose për të zëvendësuar syzen e tyre korrigjuese, në rast të mospëlqimit të mbajtjes së syzeve. Në rastin e efektit të tyre estetik, lentet e kontaktit përdoren gjerësisht nga vajzat e reja të cilat edhe trukohen, dhe më pak nga meshkujt. Janë mjete që kanë relativisht një kosto dhe arsyeja që nuk përdoren në masë është kostoja e tyre, e cila vjen në vartësi të tipit të lentes. Më e lirë është lentja kozmetike me ngjyrë, më e shtrenjtë ajo me numër dhe akoma më e shtrenjtë është ajo me ngjyrë dhe me numër që rregullon të dy efektet.
Sa të sigurta apo të rehatshme janë lentet?
Duhet theksuar se te personat që kanë një higjienë shumë të mirë lentet janë jashtëzakonisht shumë të sigurta dhe të tolerueshme për syrin sepse edhe lënda nga e cila përbëhen ato është shumë e mirë. Kanë një lloj materiali që është tepër kompatibël me syrin dhe që është shumë i ngjashëm me strukturën që e mban atë, e cila quhet “kornea” dhe që detyrimisht bëhen pjesë e syrit ku vendosen.
Duke lënë mënjanë lentet për efekt estetik, si është kërkesa për lentet korrigjuese të numrit?
Janë disa kategori njerëzish në profesionet e tyre, të cilat nuk mund të përdorin syze dhe që ne ju sugjerojë lentet për korrigjimin e numrit. Në këto kategori hyjnë sportistët, balerinët, njerëzit që janë ne botën e televizionit që nuk duan të mbajnë syze etj. Efekti i tyre estetik është shumë i mirë sepse mbajtja e syzeve është ende një lloj fobie, edhe pse jemi në këtë lloj shoqërie relativisht të emancipuar. Ka komunitete që jetojnë në zonat rurale, të cilët e shohin mbajtjen e syzeve akoma me një lloj paragjykimi. Lentja është diçka që ti e mban por që askush nuk ka informacion për ty që ti ke një problem me shikimin.
Si ju duket tendenca e shqiptarëve lidhur me lentet, në vartësi të gjinisë, moshës apo faktorëve të tjerë?
Tendenca e shqiptarëve në vartësi të zonave ku jetojnë është e ndryshme. Në zonat rurale nuk kanë informacion për lentet. Ato i vendosin vetëm ata persona që pas një vizite të hollësishme tek mjeku mund të mbajnë lente. Kurse për sa i përket zonave rreth metropolit, njerëzit kanë një informacion më të saktë dhe kryesisht personat që kanë një nivel të caktuar arsimor. Është ky grup që kërkon edhe lenten dhe pasi e provojnë e duan në vazhdimësi sepse ju lehtëson shumë gjëra. Detyrimisht që e përballojnë dhe ekonomikisht. Tendenca e shqiptarëve është drejt përdorimit të gjerë të lenteve, por kjo gjithmonë në vartësi të profesionit, të seksit, të ambientit ku jetojnë apo punojnë por edhe në vartësi buxhetit të tyre.
Si përzgjidhen personat që mund të mbajnë lente ose jo?
Në vartësi të numrit të syzeve që mban personi, aty qëndron dhe problemi me lentet sepse jo çdo person mund të vendosë lente. Ata që kanë probleme të thjeshta të numrit që ne i quajmë problem sferike janë njerëzit që përzgjidhen për të mbajtur lente. Ndërsa njerëzit që kanë probleme, që ne i quajmë me defekt cilindrik, nuk mund të përdorin lente sepse gjatë pulitjes së syrit ajo lëviz në vartësi të lëvizjes së kapakëve dhe nuk qendërzohet. Kjo bën që personi të mos shohë mirë.
Cilat janë disa nga problemet që mund të shkaktohen nga mbajtja e pakujdesshme e lenteve?
Për sa i përket dëmtimeve që japin lentet në sy, mund të them se dëmtimet janë minimale dhe ato ndodhin për një sërë arsyesh ku mund të veçojnë mungesën e higjienës , momente të caktuara pakujdesie në vënie ose në heqje, ndonjë truk jo i mirë nga ana e vajzave dhe përthithja e produkteve të makiazhit nga një sy që ka lente. Këto janë rastet kur syri infektohet. Tek dëmtimet minimale mjafton që personi të ndërrojë lenten që i ka shkaktuar infeksionin në sy dhe të marrë një mjekim të thjeshtë tek okulisti personal, tek i cili konsultohet edhe për lentet. Ndërsa nëse sëmundja avancon deri në një fazë pre-terminale (faza e dëmtimeve të rikthyeshme), detyrimisht për disa ditë, deri në dhjetë, ai nuk duhet të vendosë lente në sy dhe të marrë mjekim.