Furtunë në drejtësi, ikin 100 gjyqtarë
Fatos Mahmutaj
Furtunë lëvizjesh në radhët e togave të zeza shqiptare. Lajmi është bërë publik dje nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu.
Sipas tij, rreth 100 gjyqtarëve të Gjykatave të Faktit dhe Apelit, do të transferohen në gjykata të ndryshme në vend brenda këtij viti. “Brenda pak javësh do të lëvizin nga vendet aktuale rreth 100 gjyqtarë”, pohoi Spahiu dje në emisionin “E Diell” në “Top-Channel”. Në një komunikim më pas me gazetën “Panorama”, nënkryetari i KLD-së tha se furtuna ka nisur pas dekretit numër 6,265, datë 16 shtator 2009, të Presidentit të Republikës Bamir Topi për përcaktimin e numrit të togave të zeza nëpër Gjykatat e Faktit dhe Apelit në vend. Sipas këtij dekreti është shtuar numri i togave të zeza nëpër 9 gjykata dhe është reduktuar në 7 të tjera. Konkretisht, sipas këtij dekreti, do të rriten ndjeshëm numri i gjyqtarëve në kryeqytet dhe Durrës si dhe në Apelet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Sipas burimeve nga KLD-ja, në këtë kuadër lëvizjet e gjyqtarëve do të jenë jo mekanike, siç ka ndodhur rëndom, por do bëhen të mirëmenduara. Kështu, pritet që gjykatësit më të mirë nga shumë rrethe në vend, të transferohen në Gjykatat e Faktit, Tiranë dhe Durrës, të cilat janë shpallur gjykata karriere.
Spahiu
Kjo, sipas nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu do të arrijë eliminimin e dy prej problemeve më të mprehta të drejtësisë sot; shpejtësinë në gjykim dhe cilësinë. “Së pari do të rritet shpejtësia në gjykim në Faktin dhe Apelin e Tiranës dhe të Durrësit, duke eliminuar në këtë mënyrë zvarritjet, si dhe duke reduktuar në 50 për qind kohën e gjykimit. Ndërsa së dyti, pritet që kjo të rrisë cilësinë e gjykimit, pasi gjyqtarët do të kenë më pak dosje në duar, duke pasur mundësi për të arsyetuar më mirë”, tha Spahiu duke shtuar se nga ana tjetër kjo stimulon karrierën e togave të zeza, pasi pritet që të ketë transferime jo vetëm nga gjykatat e vogla në të mëdhatë, por edhe anasjelltas. Kështu sipas tij do të transferohen gjyqtarë në Faktet e Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës dhe Pukës. Ndërkohë, burime të tjera nga KLD pohojnë se gjatë transferimit të gjykatësve do të merret parasysh shmangja e nepotizmit. Të paktën në mjaft rrethe në vend është vënë re se nëpër gjykata ndodhen toga të zeza që prej shumë vitesh ushtrojnë në të njëjtin vend detyrën e gjyqtarit. Kjo ka sjellë familjarizim të tyre me mjaft persona, pasojat e së cilës pasqyrohen në drejtësinë e dhënë. Kjo kategori gjykatësish pritet që të lëvizet nëpër rrethe të tjera. Gjithashtu, sipas tyre kriter kryesor gjatë transferimeve pritet të vlerësohet edhe konflikti i interesave, nepotizmi, baza akademike e gjykatësve, shkollimi, titujt shkencorë, vjetërsia në punë etj. Mësohet se mjaft anëtarë të KLD-së kanë propozuar që të ketë lëvizje të gjykatësve edhe nga Tirana nëpër rrethe të ndryshme.
Lëvizjet
Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu pohoi se në kuadër të kësaj priten të paktën 100 lëvizje, të cilat do të kryhen gjatë 5 mbledhjeve të KLD-së që do të zhvillohen gjatë tremujorit të fundit të këtij viti. Mbledhja më e afërt e KLD-së, në të cilën do të nisë shqyrtimi i transferimeve pritet të zhvillohet në fund të këtij muaji, por ende nuk ka një datë përcaktuar për këtë. Burime nga KLD-ja pohuan se po planifikohet që puna të nisë me plotësimin e Gjykatës së Tiranës dhe asaj të Durrësit me numrin e gjykatësve sipas dekretit të Presidentit Bamir Topi. Zëvendësimi i ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj me Bujar Nishanin, ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të marrëdhënieve mes institucionit të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. Burime nga KLD, pohuan dje se gjatë procesit të transferimeve të togave të zeza dp të ketë konsensus dhe negociata midis ministrit të Drejtësisë, kryetares së Gjykatës së Lartë, anëtarëve të KLD-së, nënkryetarit të këtij institucioni, dhe Presidentit të Republikës. Sipas tyre votimi do të jetë i hapur dhe me konsensus, ose thënë ndryshe çdo propozim do të diskutohet nga anëtarët dhe do të argumentohet nga anëtari i KLD-së që e propozon atë.