E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvarritjet, Nishani kërkoi grup pune

 

TIRANE – Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani është bashkuar me shqetësimin e ngritur nga Presidenti dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë për zvarritjen e gjyqeve ndaj disa bandave e grupeve kriminale. Pak ditë më parë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë Nishani tha se dikasteri i tij do të punojë për ngritjen e një grupi pune me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatave, Shoqatave të Gjyqtarëve, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe prokurorisë, për zgjidhjen e situatës së zvarritjeve në procese të rëndësishme gjyqësore. Ky grup pune për të cilin foli ministri i Drejtësisë Nishani tashmë është ngritur ai madje ka zhvilluar mbledhjen e parë në të cilën është propozuar të fillohet ideimi i ndërhyrjeve në Kodin e Procedurës penale. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, grupi i punës në bashkëpunim me KLD-në, gjykatat dhe prokurorinë, po diskuton mundësinë e vendosjes së gjobave ndaj avokatëve që mungojnë në mënyrë të parregullt në procese duke shkaktuar shtyrjen e tyre. Po kështu, grupi i punës ka vendosur që Krimet e Rënda të gjykojnë me trupa 3-anëtarësh për të mos konsumuar 5 gjyqtarë me një çështje të vetme siç ka ndodhur deri më tani. “Nëse në hartimin e një legjislacioni të caktuar, ligjor apo nën ligjor, shpesh herë për një apo tjetër arsye mbeten hapësira ku për shkak të pjesë procedurale shfrytëzohen jo në interes të zbatimit të ligjit, por ikjes nga zbatimi i ligjit, atëherë kjo është një çështje që duhet riparë domosdoshmërisht. Në këtë kontekst ne kemi menduar të shikojmë një amendim të legjislacionit përmes një grupi pune të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe palëve të tjera të interesit, në mënyrë të tillë që të përcaktohet se cila do të jetë ndërhyrja në këtë amendim dhe legjislacion për të ngushtuar të gjitha hapësirat që mund të përdoren për të abuzuar me procedurën. Kemi rënë dakord që ky është një shqetësim i përbashkët, besoj se në ditët që vijnë do ta konkretizojmë këtë shqetësim përmes një grupi pune të përbashkët me përfaqësues nga gjyqësori, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë, organi i Prokurorisë”, ka thënë Nishani disa ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›