E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan me hapa të ri kundër ushtrisë

Kryeministri i Turqisë, Teccep Tayyib Erdogan, synon të tkurrë edhe më shumë kompetencat politike të ushtrisë së fuqishme turke.

Në një intervistë televizive, Erdogan paralajmëroi shfuqizimin e protokolleve të Emasijas, njoftuan sot mediet turke. Ky protokoll, i miratuar në vitin 1997, i mundëson ushtrisë që të ndërhyjë gjatë krizave të brendshme, pa kërkesën paraprake të autoriteteve civile.

Protokollet Emasija janë kritikuar nga BE-ja, ngase ato i garantojnë një rol të brendshëm ushtrisë në këtë shtet anëtar për anëtarësim në BE, rregullore kjo e cila bie ndesh me normat evropiane.

Në kuadër të kandidaturës së Turqisë për anëtarësim në union, Ankaraja gjatë viteve të kaluara ka reduktuar rolin politik të ushtrisë, por sipas pikëpamjeve të Brukselit, autoritetet turke duhet të bëjnë më shumë në këtë fushë.

Erdogan paralajmëroi ndryshimin edhe të një ligji tjetër, i cili nga kritikët konsiderohet si justifikim për puçet e ushtrisë kundër autoriteteve shtetërore.

Megjithatë, ai në anën tjetër theksoi se ka një bashkëpunim të mirë me shefin e shtatmadhorisë së ushtrisë së Turqisë, gjeneralin Ilker Basbug.

Spekulimet për kinse përpjekje për puç brenda ushtrisë kanë nxitur së fundi tendosjet politike në Turqi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›