Erdogan pret Berishën: Ju mbështesim për në NATO
Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje mbështetjen e homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, për integrimin e Shqipërisë në NATO si dhe shtimin e investimeve turke në vendin tonë. Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, kreu i qeverisë është takuar me homologun turk, të cilit i ka paraqitur edhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. "Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy qeverive dhe dy vendeve tona. Kryeministri Erdogan i rikonfirmoi edhe një herë Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë turke dhe të vendit të tij për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Po bëjmë përpjekje, u shpreh ai, për të inkurajuar investitorët turq të vijnë të investojnë në Shqipëri", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Kreu i ekzekutivit e njohu kryeministrin turk me reformat e qeverisë shqiptare, duke u ndalur në veçanti në arritjet e rëndësishme për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tyre përmes projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si parqet industriale etj. Ditën e djeshme Berisha foli edhe në forumin ekonomik botëror që mbahet në Stamboll. "Ne ndoqëm politikën e një qeverisjeje të vogël, por efikase, miratuam ligje dhe vendosëm shpërblimin për të gjithë ata që denoncojnë akte korruptive, janë ulur ndjeshëm shpenzimet operative të administratës dhe në tre vjet, janë mbledhur 3.2 miliardë dollarë", u shpreh Berisha në fjalën e tij. Duke folur në një prononcim për mediat për luftën ndaj korrupsionit kreu i qeverisë u shpreh se "këtë vit, Shqipëria u klasifikua e dyta në botë për suksesin e reformave në fushën e klimës së biznesit. Shqipëria la mbrapa në një turravrap 50 vende. Por, pavarësisht se janë përcaktuar nga një kuadër ligjor dhe nga një kuadër reformash, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur, në rast se nuk do të ishte në themel lufta kundër korrupsionit. Kjo pikëpamje u mirëprit dhe unë shpjegova se çfarë kemi bërë ne dhe cilat janë rezultatet". Paraditen e djeshme Berisha u takua në mëngjes, me themeluesin dhe Presidentin e Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schëab. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Forumit Ekonomik, Borge Brende. Schëab, duke vlerësuar shumë pozitivisht arritjet në fushën ekonomike dhe stabilitetin politik në vend, u shpreh se Shqipëria ka pësuar një transformim rrënjësor në vitet e fundit.