E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Pa viza brenda 2010

 

Aristir Lumezi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha dje se brenda qershorit 2010, shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza nëpër Evropë. Duke folur në një intervistë në "Top Story" të Sokol Ballës në Top Channel, nënkryetarja e PD-së u shpreh e sigurt në fitoren e një mandati të dytë nga ana e koalicionit të djathtë. "Kemi arritur që Shqipëria të renditet sipas TI, si qeveria kampione në luftën kundër korrupsionit. Nuk e kam menduar se do përmendeshim nga raportet ndërkombëtare për korrupsionin dhe se do ishim në vendin e parë. Në vitin 2009 Shqipëria do jetë me viza të liberalizuara. Në fund të vitit të parë të mandatit të ardhshëm, shqiptarët do udhëtojnë pa viza", theksoi Topalli. Duke folur për akuzat e fundit të opozitës dhe mocionin që pritet të bëhet ditën e hënë me Kryeministrin Berisha, Topalli tha se në të vërtetë opozita duhet të bënte mocion për çështje të rëndësishme, si lufta kundër korrupsionit apo integrimi në NATO. "Nuk është mocion mosbesimi se nuk ia mban të bëjë mocion mosbesimi. Është e vetmja opozitë që nuk guxon të bëjë mocion mosbesimi. Është zgjedhja e tyre nuk dua ta gjykoj. Është mocion me debat, që në jetën e parlamentarizmit është fare normale. Duhej të ishte mocion me debat për NATO-n apo luftën kundër korrupsionit", u shpreh më tej Topalli. Lidhur me komisionin hetimor për prokurorinë, kreu i Kuvendit deklaroi se nuk kishte iniciativë për mbledhje firmash edhe pse, sipas saj, kjo është një e drejtë kushtetuese e maxhorancës. Sipas nënkryetares së demokratëve, një prokuror me një rrogë jo më shumë se 80 mijë lekë të reja nuk mund të ketë një makinë që kushton 80 mijë dollarë. "Nuk jam shumë e sigurt por rroga e një prokurori mund të jetë deri në 800 mijë lekë. Më thuaj, me rrogë deri në 800 mijë lekë, mund të kesh një makinë 70- 80 mijë dollarë? Më thuaj, nëse me rrogë 700 mijë lekë të vjetra një gjykatës mund të ketë edhe vilë në qytet edhe vilë në bjeshkë dhe vilë në plazh dhe makinën e shtrenjtë", theksoi nënkryetarja e PD. Sipas saj, reforma në drejtësi duhet të ketë dy pikat e përmendura nga ambasadori Helmut Lohan, përgjegjshmërinë ndaj ligjit dhe pavarësinë. "Jam e kënaqur që kam dëgjuar deklaratën e ambasadorit të KE që tha se, reforma ne drejtësi ka dy aspekte: përgjegjshmëria ndaj ligjit dhe pavarësia. Dhe në raportin e KE theksohet dhënia e llogarisë nga ana e punonjësve të gjyqësorit. Ne po punojmë që të funksionojë ligji, nuk duhet të jetë askush mbi ligjin", ka pohuar Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›