Zogaj: Ardhja e Pollos, s’ka shtim elektorati
Rikthimi i Genc Pollos në Partinë Demokratike duket se nuk është pritur edhe aq mirë brenda radhëve të demokratëve. Deputeti Preç Zogaj tha dje në një prononcim për mediat, se ardhja e Pollos ka të bëjë më shumë në planin psikologjik sesa në rritje reale të elektoratit në kampin e djathtë. "Ky proces nuk mund të trajtohet si kartë fituese e PD-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009, kartat fituese për PD-në janë realizimi i premtimeve elektorale, për të motivuar zgjedhësit në përgjithësi dhe ato demokratë në veçanti. Por ky proces nuk ka të bëjë shumë me elektoratin, por është një ribashkim që ka të bëjë më shumë me planin psikologjik", theksoi Zogaj. Sipas tij, "kjo parti ka përjetuar një proces ndarje dhe tani është në një proces ribashkimi e cila ilustron politikën e hapjes, që ka nisur që në vitin 2000". Ndërkohë Nard Ndoka, i cili ishte një prej të larguarve me Genc Pollon nga Partia Demokratike në vitin 1999, e quan këtë një dështim të vetë kreut të demokratëve të rinj. Sipas tij, Pollo u kthye në partinë e cila e përjashtoi atë nga kongresi, duke i ngjitur shumë epitete. "Do ta quaja thjesht si një dështim të Pollos, si politikan në radhë të parë, për faktin se asgjë s'ka ndryshuar te Partia Demokratike, janë të kota fjalët për demokratizim të jetës së brendshme. Pollo doli nga dera e kongresit duke u përjashtuar, duke u anatemuar nga zoti Berisha, duke iu vendosur epitete nga më të ndryshmet për disa vite, të pamerituara sipas gjykimit tim dhe rikthehet pa u mbledhur asnjë strukturë e Partisë Demokratike, rikthehet pa mbledhur asnjë strukturë të Partisë Demokrate të re", u shpreh Ndoka. Ndërsa, sipas kreut të PR-së, Fatmir Mediu një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur me republikanët.