Erdogan pret Topin: Synimi i dy vendeve, integrimi në BE

Topi dhe Erdogan dje në Stamboll
Synimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Turqisë është integrimi në Bashkimin Europian. Ky ishte konkluzioni i takimit të djeshëm mes kryeministrit turk, Erdogan dhe Presidentit të Shqipërisë, Topi. Gjatë takimit në Turqi, dy personalitetet vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve e të dialogut politik midis dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e përforcimit të mëtejshëm të tyre në të gjitha drejtimet. Sipas njoftimit, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për përkrahjen e madhe që Turqia i ka dhënë vazhdimisht Shqipërisë gjatë proceseve të ndryshme e të rëndësishme të konsolidimit të shtetit e të përparimit ekonomik e ushtarak të saj. Në këtë drejtim, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi lart kontributin e vendit mik për reformimin e modernizimin e Forcave tona të Armatosura, si pjesë e strukturave të NATO-s, duke shtuar se Turqia do të mbetet një partner strategjik dhe vend prioritar në politikën e jashtme të vendit tonë. Topi vlerësoi gjithashtu rritjen e dukshme të bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të mëtejshëm të tyre, kryesisht në fushën e energjetikës, infrastukturës, shëndetësisë, arsimit, turizmit etj. Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të intesifikohen më tej, nëpërmjet realizimit të projekteve të përbashkëta në të mirë të të dy vendeve tona mike, për të realizuar synimin e përbashkët: integrimin në gjirin e familjes së madhe europiane. Presidenti Topi gjatë bisedës u ndal edhe në çështje të rajonit, duke vënë në dukje kontributin e vazhdueshëm të Turqisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë, si dhe për përkrahjen e mbështetjen që ka dhënë e vazhdon t’i japë Republikës së re të Kosovës. Presidenti Topi ndodhet në Turqi për të ndjekur punimet e Konferencës së 4-ët të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, e cila po mbahet në Stamboll. “Shqipëria nuk është pjesë e grupit të vendeve më pak të zhvilluara, por ka probleme të ngjashme me këtë grup vendesh. Vendi im ka përkrahur dhe përkrah të gjitha veprimet dhe nismat e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkojnë zhvillimin e qëndrueshëm, prosperitetin dhe mbështetjen e përpjekjeve të vendeve më pak të zhvilluara drejt arritjes së Objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit. Ne jemi të inkurajuar nga progresi i arritur në disa fusha të zhvillimit nga këto vende, në drejtim të përmbushjes së qëllimeve dhe angazhimeve të pranuara ndërkombëtarisht”, theksoi Topi gjatë fjalës së tij në Konferencë.