Ergys Kaçe, talenti shqiptar rinovon me PAOK-un

Ergys Kaçe
Ergys Kaçe po shkëlqen në kampionatin grek. Mesfushori shqiptar i PAOK-ut u shpall lojtari më i mirë i javës së fundit dhe menjëherë drejtuesit e klubit selanikas i bënë një ofertë për rinovimin e kontratës. Sipas asaj që raportojnë mediat greke, 19-vjeçari ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 300 mijë euro. Kjo marrëveshje hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2013. Kaçe do të marrë në vitin e parë 80 mijë euro, ndërsa në vitin e dytë të kontratës 100 mijë euro. Në vitin e fundit 120 mijë euro, por në marrëveshjen e arritur ka disa klauzola, teksa parashikohet rishikimi i anës financiare që pas sezonit të parë. “Rinovimi i kontratës sime me PAOK-un është një vlerësim që më bëhet nga ana e drejtuesve të klubit. Ndihem shumë i lumtur që kam arritur këtë marrëveshje. PAOK-u është gjithçka për mua, nuk do të zhgënjej askënd”, – është shprehur i riu shqiptar, i cili pak javë më parë refuzoi ftesën e Kombëtares kuqezi.