E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoba sa gjysma e rrogës, gati ndëshkimet te Tirana

TIRANE-Festa e Kurban Bajramit, por edhe fakti se nesër luhet ndeshja me Skënderbeun, kanë bërë që klubi Tirana të shtyjë mbledhjen për humbjen 4-0 me Kukësin, ku priteshin masa tejet të forta për trajnerin dhe për futbollistët. Administratori i klubit Salih Tagani pati paralajmëruar një mbledhje ditën e djeshme, por ajo do të bëhet pas ndeshjes në Korçë. Shkak për këtë është bërë edhe fakti se drejtuesit e klubit kryeqytetas nuk kanë dashur të rëndojnë akoma më shumë psikologjikisht futbollistët në prag të një sfide që mund të vendosë një sezon të tërë. Në këtë mënyrë, gjithçka do të vendoset pas takimit të së shtunës, ndërsa burime të sigurta pranë klubit Tirana bëjnë të ditur se masat do të jenë tepër të forta. Po ashtu, në rast se ekipi kryeqytetas fiton ndaj Skënderbeut, çdo dënim do të hiqet, ndërkohë që në rast se nuk ndodh kjo, ndëshkimet janë të sigurta.
Masat
Gjoba deri në gjysmën e rrogës mujore për futbollistët dhe trajnerin. Janë këto masat e para që do të marrin drejtuesit e Tiranës për lojtarët e tyre, pas dështimit historik në Kukës, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Humbja 4-0 ka shkaktuar një “tërmet” të vërtetë në shtëpinë e 24 herë kampionëve të vendit, pasi ata nuk kishin pësuar asnjëherë disfatë të këtyre përmasave në Kupë. Ndërkohë, një kusht shumë i rëndësishëm për vendosjen e sanksioneve është edhe ndeshja e nesërme ndaj Skënderbeut. Në rast të një triumfi në Korçë, dënimet do të pezullohen të gjitha, ndërsa në rast disfate, trajneri Artur Lekbello është thuajse i shkarkuar. Ndërkohë, një barazim pritet që të lërë në fuqi gjobat si për lojtarët dhe trajnerin Lekbello. Në këtë mënyrë, futbollistët kryeqytetas do të kalojnë të gjithë një shumë të vështirë ndaj ekipit kampion të vendit, ku përveçse për fanelën që mbajnë veshur, do të luajnë edhe për anën financiare të tyre.
Skënderbeu
Ndeshja e nesërme ndaj Skënderbeut është kthyer në vendimtare për futbollistët e Tiranës. Shkëputja e ekipit korçar në krye të renditjes ka bërë që bardheblutë të humbasin shumë terren në luftën për titullin kampion. Një disfatë në Korçë do të bënte që ky sezon për ta të konsiderohej i dështuar, duke qenë se tashmë edhe Kupa e Shqipërisë është një mision i mbyllur. Skuadra duket shumë e ngarkuar psikologjikisht pas disfatës 4-0 në Kukës dhe për momentin drejtuesit kanë zgjedhur linjën e butë. Por, është fakt se ajo humbje nuk do të kalojë lehtë, sidomos në rast se futbollistët e Tiranës nuk do të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv në Korçë. Trajneri Lekbello ndërkohë, duket i pari që rrezikon. Do të mjaftojë qoftë edhe një hap tjetër fals, që ai të përfundojë në listën e gjatë të “ish-ëve” të Tiranës, një klub që në vitet e fundit ka ndërruar dhjetëra teknikë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›