Nga Kavaja, Berisha: Dua Kombëtaren

Bernard Berisha
Mesfushori kosovar, Bernard Berisha, kalimin nga Besa e Pejës tek ajo e Kavajës, e kishte vlerësuar si një hap të madh para në karrierë, por tani ai synon Kombëtaren. “Pritej të debutoja me fanellën kuqezi (Shpresat), por kjo nuk ndodhi, fatkeqësisht. Për çdo futbollist është ëndërr të veshë fanellën e Kombëtares. Falë paraqitjeve të mira me Besën, unë e mora ftesën”, – ka theksuar Berisha për “Kohën Ditore”. Mesfushori nga Peja, për pak ndeshje është bërë lojtar kyç te ekipi i Kavajës. Në shtatë ndeshje të luajtura ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy asiste. “Prisja që të luaja menjëherë, duke marrë parasysh cilësitë. Në çdo ndeshje unë mundohem të jap më të mirën. Kam raporte shumë të mira me shokët dhe pritja ka qenë shumë e mirë. Më respektojnë shumë, ndërsa falë trajnerit jam adaptuar shumë shpejt në lojën e Besës. Unë synoj Kombëtaren e madhe”, – ka shtuar Berisha.