Portierët shqiptarë në Europë, veteranet dhe talentet

Arjan Beqaj, portieri i kombëtares shqiptare dhe skuadrës qipriote Anorthosis Famagusta, nuk është i vetmi që luan në Europë. Dy gardianët e tjerë të katërkendëshit kuqezi, Isli Hidi e Ilion Lika, aktivizohen respektivisht në Ukrainë dhe Rusi. Më parë, portën e ekipeve të ndryshme europiane e kanë mbrojtur edhe Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC) apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, teksa arriti të ishte edhe portieri i tretë i Ajaksit të madh dhe tashmë në rolin e një trajneri portierësh në fondacionin e Johan Krujfit dhe Klarens Sedorfit. Por, "gardianë" të tjerë shqiptarë e kosovarë janë duke u rritur në kontinent, ku mezi presin të bëjnë xhiron tradicionale mediatike. "Albania-sport" po prezanton një panoramë të shpejtë të gjithë emrave në qarkullim.
UKRAINË - 23-herë kampionia e Shqipërisë, Tirana, e ka ndjerë jo pak largimin e Isli Hidit gjatë këtij sezoni shumë problematik për bardheblutë. 27-vjecari pas 9 sezoneve me Tiranën dhe një sezoni i huazuar me Bylin, është pjesë e skuadrës ukrainase Krivbas Kirog. Në këtë ekip, ku 1/3 e formacionit titullar është shqiptar (luajnë edhe Ndreka, Bulku e Bylykbashi), portieri i Kombëtares shqiptare (2 ndeshje) vlerësohet për aftësitë e tij.
RUSI – Mbrojtësi shkodran Elvin Beqiri, një "ukrainas" tipik (6 sezone të luajtura në atdheun e Shevcenkos), përvec përvojës në Izrael me Makabi Tel Aviv shijoi edhe një eksperiencë me një skuadër ruse, Alania Vladikavkaz. Ndërsa 27-vjecari Beqiri, tashmë është pjesë e historisë së statistikave të futbollit rus, një tjetër shqiptar po luan në Premierligën e vendit ku do të zhvillohet finalja e Ligës së Kampioneve. Ish-portieri i Dinamos, Ilion Lika, ka fituar vendin e titullarit te skuadra cecene Terek Grozni në kampionatin rus. Lika, i larguar me "dhunë" nga Dinamo, u aktivizua te Elbasani përpara se të shijojë eksperiencën e tij të parë ndërkombëtare, që cuditërisht është një ekip nga Cecenia. Shuma e 500 mijë dollarëve për dy sezone ishte një faktor thelbësor.
QIPRO - Arjan Beqaj, portieri aktual i Kombëtares, mbrojti portën e Partizanit, përpara se të mbronte për 6 sezone kuadratin e Ofit të Kretës (nga sezoni 1997-1998 deri 2002-2003) dhe 3 sezone atë Ionikosit (2003-2004 deri më 2005-2006). Kosovari 31-vjecar luan prej dy sezonesh luan në Qipro me Anorthosis Famagusta, ku vendosi edhe një rekord personal me 540 minuta pa pësuar gol.
ITALI- Në një prej kampionateve më të fortë në Botë, kombi shqiptar nuk përfaqësohet vetëm me lojtarë të spikatur si Igli Tare (Lacio), Valon Behrami (Lacio) e Erion Bogdani (Livorno), por edhe më të rinj plot ambicie. Sulmuesi Edgar Cani, i konsideruar si "Bobo Vieri i ri" ende nuk e ka bërë debutimin e tij në Serinë A, por te Palermo po fiton maturi një prej portierëve të Kombëtares U-21, Samir Ujkani. Përpara se të firmoste një kontratë 5-vjecare me skuadrën siciliane, Ujkani ka dalë kampion me skuadrën e U-19 të Anderlehtit në Belgjikë.
Kur Shqipëria U-17 luajti vitin e kaluar në eliminatoret e para në grup të një Kampionati Europian për këtë moshë, trajneri Shpëtim Duro u paraqit në portë me dy lojtarë që aktivizohen në Itali. Xhino Sejdon e Venecias U-17 dhe Deljan Bregasin e Sampdories U-17. Te Sampdoria, portieri 16-vjecar Deljan Bregasi (194 cm) konsiderohet si një nga shpresat skuadrës gjenoveze, që pret shumë nga investimi i përditshëm ndaj shqiptarit. Bregasi, i cili është edhe nënkampion i Italisë për U-17, ka fituar një përvojë të cmuar falë edhe aktivizimeve të rregullta në turnetë ndërkombëtarë. Si Ujkani ashtu dhe Bregasi kanë një ëndërr të përbashkët: të veshin fanellën e kombëtares shqiptare. Por, nëse Ujkani është më afër një vendi në treshen e portierece kur të largohet Arjan Beqaj, Bregasi duhet të kalojë patjetër nga stacioni "U-21".
GREQI – Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare (rekord për numrin e ndeshjeve, 73), portieri Foto Strakosha është një nga emrat më të famshëm shqiptare në katërkëndëshin e një skuadre greke ku militoi që nga sezoni 1991-1992 e për ta mbyllur në sezonin 2004-2005: Janina, Ethnikos Asteras, Olimpiakos, Panionos, Ionikos dhe Kalithea janë fanellat më të cilat ka luajtur ish-lojtari i Dinamos, tashmë në rolin e trajnerit të portierëve te kampionët e Qipros, Apoel. Te Iraklisi i Selanikut po rritet një tjetër portier me të ardhme. Ky është Enea Koliqi, një nga pesë lojtarët e kësaj skuadre që vesh një fanellë kombëtareje. 22-vjecari mbrojti me sukses portën e Shpresave të Artan Bushatit dhe aftësitë e tij janë të dukshme. Koliqi ishte një ndër të thirrurit e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Ari Han në grumbullimin e Antalias. Bruno Guri është portieri i parë i të rinjve të skuadrës greke Ionikos ku aktivizohet prej tre sezonesh me Ionikos. Guri (184 cm) është stërivitur së bashku me portierin e Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj, tashmë në radhët e qipriotëve të Anorthosis Famagusta.
AUSTRI- Mbrojtësi Ronald Gërcaliu, mesfushorët Emin Sulimani e Besian Idrizaj, si dhe sulmusi Hamdi Salihi janë në qendër të medias austriake falë performancave të tyre. Por, "armatës" shqiptare në atdheun e Johan Prohaskës, edhe një portier, Besart Barjaktari. 26-vjecari kosovar (1.87 cm), dy herë kampion me Kosovën dhe i thirrur në vitin 2002 me Kombëtaren shqiptare, mbron portën e SV Weiz, një skuadër e kategorisë së dytë austriake.