Erikson, trajneri i ri i Bregut të Fildishtë
BREGU I FILDISHTE- Sven Goran Erikson do të drejtojë Bregun e Fildishtë në finalet e kampionatit botëror të këtij viti. Lajmi u bë i ditur nga Federata e këtij vendi, e cila ka konfirmuar përzgjedhjen e ish-trajnerit të Lacios dhe të kombëtares angleze pas largimit të boshnjakut Vahid Halihoxhiç në muajin shkurt. “Analizuam profilet e shumë kandidatëve dhe më pas vendosëm për Erikson”, bëri të ditur Federata e Bregut të Fildishtë. Ajo nuk ka dhënë detaje të kontratës së Erikson, por ka shkruar se synimi i suedezit është të bëjë një paraqitje të mirë në Botëror.62 vjeçari Erikson ka një eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare, pasi ka drejtuar klube në Suedi, Portugali e Itali, përfshirë Romën, Sampdorian dhe Lacion. Ai drejtoi për 5 vjet, nga 2001 në 2006, edhe kombëtaren angleze, pa arritur ndonjë rezultat të bujshëm edhe pse ishte një prej teknikëve më të paguar në botë. Nën drejtimin e tij Anglia u eliminua që në çerekfinale në tre kompeticione radhazi, Botërorin 2002, Europianin 2004 dhe Kupën e Botës 2006. Erikson në vitin 2007 mori drejtimin e Mançester Sitit, ndërsa ishte i pasuksesshëm edhe nën drejtimin e kombëtares së Meksikës. Bregu i Fildishtë është një prej skuadrave më të mira të Afrikës me futbollistë si Drogba, Kalu apo Jaja Ture, por ndodhet në një grup me Brazilin, Portugalinë dhe Korenë e Veriut.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)