E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, debate për kthimin e opozitës në Parlament

Në Maqedoni partitë e pozitës dhe opozitës kanë dhënë vlerësime të kundërta lidhur me planin trepikësh të presidentit Branko Cërvenkovski për kthimin e opozitës në Parlament.

Plani trepikësh i presidentit të shtetit përmban 3 pika.

“Pika e parë është se nëse LSDM së bashku me partnerët e saj të koalicionit garanton ndalimin e bojkotit të Parlamentit dhe institucioneve tjera, jam i gatshëm të shfrytëzojë të drejtën kushtetuese dhe ligjore për ta falur nënkryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij që gjenden në paraburgim”, deklaroi Cërvenkovski.

“Pika e dytë është se nëse PDSH garanton ndalimin e bojkotit të Parlamentit, i përgatitur jam të mos e nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe në këtë mënyrë të mundësojë përsëritjen e procedurës parlamentare për votimin e këtij ligji, kësaj here më pjesëmarrje edhe të opozitës”, nënvizoi presidenti.

Ndërsa pika e tretë ka të bëjë me mosnënshkrimin e dekreteve për hyrjen në fuqi të ligjeve që janë miratuar në mënyrë eskpresive nga ana e shumicës parlamentare dhe që kanë shfaqur reagime në opinionin publik, ku përfshihet edhe Rregullorja e Parlamentit.

Lidhur me propozimin e presidentit janë deklaruar edhe partitë në pushtet, me ç`rast VMRO-DPMNE deklaroi se Cërvenkovski po devalvon dhe nënçmon Parlamentin, sepse sipas kësaj partie ligjet janë pranuar me shumicën e mbi 80 deputetëve.

BDI i bëri thirrje presidentit që të dekretojë ligjet e miratuara dhe të respektojë kompetencat e tij zyrtare.

"Pjesa më e madhe e deputetëve që janë të zgjedhur në Parlamentin e RM-së ja kanë dhënë votën këtij ligji, që do të thotë se në bazë të të gjitha kompetencave kushtetuese të këtij ligji që i ka presidenti, unë mendoj se duhet ta bëj atë nënshkrim. Dhe unë mendoj se presidenti Cërvenkovski është mirë që ti respekton ato kompetencat e veta që i ka të parapara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe ta nënshkruan këtë ligj i cili me të vërtet garanton të drejtat e qytetarëve të tjerë të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë, konkretisht për shqiptarët", deklaroi deputeti i BDI Safet Neziri.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka deklaruar se nëse presidenti Cërvenkovski nuk do të nënshkruajë Ligjin për gjuhët, atëherë kjo parti mendon të kthehet në Parlament. Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi ka zhvilluar edhe takimin e parë në cilësinë e liderit të opozitës me presidentin Cërvenkovski, por nuk jepen detaje të tjera lidhur me zhvillimin e këtij takimi.

LSDM nuk komenton deklaratat e presidentit të shtetit për mosdekretimin e ligjeve që janë miratuar kohëve të fundit nga kuvendi pa praninë e opozitës përfshirë edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve nëse opozita kthehet në institucionin ligjvënës.(INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›