Erion Braçe: Berisha do përurojë një rrugë që është përuruar tetë herë

Berisha gjatë një vizite në Otllak
Përurimi i rrugëve të fshatrave në gjithë vendin është kthyer tashmë një punë të përditshme të Kryeministrit Berisha, edhe pse nuk është në prag zgjedhjesh. Nga Tropoja ai do të udhëtojë për në Berat për të prerë shiritin e një rruge, për të cilën duket se ka investuar më jo një herë, por dy herë edhe qeveria socialiste. Deputeti i Beratit Erion Braçe e denoncon këtë skandal të hedhjes së fondeve të qeverisë në rrugë ku ska nevojë si një vjedhje të pastër. Nesër, në orën 10.00 Sali Berisha ka lajmëruar se do të jetë në Lapardha të komunës Otllak! Do të inaugurojë një copë rrugë të rrugës Kthesa e Fermës-Lumas, rrugë të cilën kryeministri Nano, unë, kryeministri Berisha dhe deputetët e tij e kemi inauguruar bashkërisht 8 herë. Kjo copë rrugë është vetëm 1.5 km, ka kushtuar 600 milion lekë dhe praktikisht është asfalt i hedhur mbi asfalt. Nisi në gusht 2010, mbaroi në prill 2011. Berisha e ka inauguruar vetë dy herë, herën e fundit gjatë fushatës së 8 maj-it. Kjo është hera e tretë!, thotë Braçe duke denoncuar këtë lojë mediatike që bën kryeministri me përurimet. Duke e njohur mirë këtë zonë si deputet, Braçe e këshillon qeverinë që të mos hedhë paratë në rrugë me asfalt, por të bëjë ndonjë vepër tjetër, e cila vërtet është e nevojshme për banorët e këtyre fshatrave. Me 600 milion lekë të asfaltit mbi asfalt, mu aty në Lapardha do kish mbaruar ujësjellësi-i shkatërruar pas ndërprerjes së financimit prej Berishës; do kishin mbaruar kanalizimet e ujërave të zeza-i, shkatërruar pas ndërprerjes së financimit prej Berishës; do ish bërë me ujë të pijshëm fshati Qoshk, 400 metra më tutje, shkruan Braçe. Më tej Braçe mban qëndrimin opozitar ndaj qeverisë duke thënë se politika e Sali Berishës me rrugët ka dalë boje. E provoi në 8 maj kur njerëzit e mundën në Otllak, në Sinjë dhe Kutalli ku kish ndjekur politikën e rrugëve. Tani edhe në Berat po i thërrasin: është ekonomia or budalla! Familjet po prekin fundin, ndërkohë që Berisha harxhon paratë kot.