E Shtunë, 31 Tetor 2026

STATISTIKAT E DEPUTETËVE, ndryshimet dhe të përbashkëtat mes parlamentit që shkoi dhe atij që vjen

Ulet ndjeshëm numri i deputetëve me eksperiencë parlamentare dhe me disa mandate. Rritet numri i deputetëve që kanë grada shkencore dhe specializime në profesionet e tyre

Kuvendi i ri i Shqipërisë do të ketë një ndryshim thelbësor me atë të shkuarin, pasi shumë prej “ujqërve” të vjetër të politikës do ti mungojnë sallës. Por në një këndvështrim statistikor, diferencat mes dy parlamenteve bëhen edhe më interesante. Në katërvjeçarin 2005-2009 mes 140 ligjvënësve shqiptarë të kësaj legjislature, vetëm 18 prej tyre ishin njohës të mirë të çështjeve ligjore, pasi vetëm kaq prej tyre vinin nga profesioni i juristit apo avokatit, ndërsa sot ky numër thuajse është trefishuar. Në katër vitet e fundit, vetë maxhoranca ka qenë në krizë njerëzish të kësaj fushe, për të emëruar individë në krye të Ministrisë së Drejtësisë, apo në krye të Komisionit kuvendor të Ligjeve, në rast të largimit, dorëheqjes, apo shkarkimit të drejtuesit paraardhës. Statistikat vijojnë të jenë interesante. Në Kuvendin paraardhës numëroheshin 29 deputetë me profesion ekonomistë, ndërsa pas 28 qershorit regjistrohen rreth 45 të tillë. Në katërvjeçarin e kaluar Kuvendi numëronte 21 inxhinierë, ndërsa Kuvendi i ri premton një numër më të vogël të këtij profesioni. Në Kuvendin e kaluar 8 deputetë ishin ulur në sallën e Parlamentit pas një ushtrimit të profesionit të gazetarit. Duket se edhe specia e ish gazetarëve në Kuvend është reduktuar, pasi Kuvendi i ri numëron vetëm pesë të tillë.
Risitë
Kuvendi i ri i konfiguruar pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit do të mbahet mend për nivelin e lartë të rinovimit të tij. Si asnjëherë më parë, në Kuvendin e ri më shumë se 50 për qind e deputetëve nisin për herë të parë karrierën e tyre parlamentare, ndërkohë që shkalla e rinovimit bëhet edhe më e madhe po të merret parasysh fakti që 4 prej deputetëve të sapozgjedhur rikthehen në Kuvend pas disa viteve mungese. Në historinë e parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi i ri do të shënojë një rekord të veçantë. 75 nga 140 deputetët e zgjedhur do të ulen për herë të parë në karriget e Kuvendit, nga të cilët 35 do të jenë deputetë të PD-së, 37 deputetë të PS-së, 2 të LSI-së dhe një deputetë i Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Në Kuvendin e vjetër, kishte një përqëndrim më të madh të deputetëve me grada shkencore, “Doktor” dhe “Profesor Doktor” ndërsa në parlamentin e ri do të mbizotërojnë kryesisht masterat. . Nëse do t’i referohemi shifrave , nga 140 deputetë të Kuvendit paraardhës, 42 prej tyre numëroheshin me tituj shkencorë dhe grada. Titullin “Profesor Doktor” e gëzonin vetëm 13 ligjvënës(në parlamentin e ri vetëm 9)
Rikthimi
Interesant është fakti se në Kuvendin e ri do të rikthehen pas të paktën katër viteve mungesë, katër deputetë, të cilët fituan mandatin në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Bëhet fjalë për Arben Imamin, Et’hem Rukën, Ilir Gjonin dhe Gazmir Bizhgën. Dy ish-ministrat e qeverisë socialiste të periudhës 2001-2005, Gjoni dhe Ruka rikthehen në Kuvendin e Shqipërisë pasi fituan mandatin e deputetit respektivisht në qarkun e Tiranës dhe të Gjirokastrës. Ndërkohë deputeti i tretë i rikthyer i PS-së është Gazmir Bizhga i zgjedhur në qarkun e Durrësit. Arben Imami rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Demokratike, ndërkohë që herën e fundit kur ai ka qenë deputet përfaqësonte Partinë Aleanca Demokratike

Cilat janë shtatë parlamentet e pas viteve 90-të

Kuvendi Popullor i RPSSH: Legjislatura XI: 19.2.1987 - 13.11.1990
Zgjedhjet u mbajtën më 1.2.1987 ku u zgjodhën 250 deputetë (71 deputete)

Kuvendi Popullor i RSH: Legjislatura XII: 15.4.1991 - 4.2.1992
Zgjedhjet e para pluraliste u mbajtën më 31.3.1991 ku u zgjodhën 250 deputetë (9 deputete)

Kuvendi Popullor i RSH: Legjislatura XIII: 4.4.1992 - 29.3.1996
Zgjedhjet u mbajtën më 22.3.1992 ku u zgjodhën 140 deputetë (5 deputete)

Kuvendi Popullor i RSH: Legjislatura e Re (XIV): 1.7.1996 - 15.5.1997
Zgjedhjet u mbajtën më 26.5.1996 ku u zgjodhën 140 deputetë (21 deputete)

Kuvendi i RSH: Legjislatura XV: 23.7.1997 – 14.5.2001
Zgjedhjet u mbajtën më 29.6.1997 ku u zgjodhën 155 deputetë (10 deputete)

Kuvendi i RSH: Legjislatura XVI: 29.6.2001 – 20.5.2005
Zgjedhjet u mbajtën më 29.06.2001 ku u zgjodhën 140 deputetë (9 deputete)

Kuvendi i RSH: Legjislatura XVII: 2.9.2005
Zgjedhjet u mbajtën më 3.7.2005 ku u zgjodhën 140 deputetë (10 deputete)

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›